Abrashi: Në afat rekord shpallen llotet e tjera Prishtinë - Podujevë

Abrashi: Në afat rekord shpallen llotet e tjera Prishtinë - Podujevë

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe ushtruesin e detyrës të kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, të premten kanë ndjekur nga afër asfaltimin e segmentit të katërt të rrugës Prishtinë-Podujevë.

Me këtë rast, ministri Abrashi tha se për këtë projekt të rëndësishëm për Llapin, por të neglizhuar nga qeveritë e kaluara, është marrë që nga ditët e para të qeverisë.

“Është një prej rrugëve me më së shumti qarkullim por fatkeqësisht edhe me më së shumti aksidente. Ne synojmë t’i përfundojmë në kohë rekorde llotet e kontraktuara dhe sipas inxhinierëve, llotet e tjera, nga Lluzhani deri në kyçje të autostradës, do të shpallen në afat rekord” – theksoi Abrashi.

Më tutje, Abrashi tha se ky nuk është projekti i vetëm në Llap.

“Në buxhetin e vitit të ardhshëm, kemi disa projekte që burojnë nga kërkesat e qytetarëve dhe që prekin fshatrat e qytetin e Podujevës. Llapin e prek edhe autostrada Besi-Merdare që është pjesë e marrëveshjes së Washingtonit. Jemi në negociatat finale për marrëveshje financiare, tani edhe Bashkimi Evropian ka intervenuar me fonde dhe grante, prandaj viti i ardhshëm është një vit në të cilin investimet qeveritare nuk do të mungojnë në Llap.” – sqaroi ministri.

Për përkushtimin qeveritar ndaj Podujevës, kryetari i Podujevës u.d, falënderoi ministrin Abrashi.

“Llapit po i kthehet vëmendja e munguar. Këtë rrugë po e bëjmë për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës sepse e lidhë vendin me Evropën dhe sipas statistikave është më e ngarkuara në nivel vendi.” – tha Rudari.