​Nëntë vjet nga vdekja e Sabri Godos

​Nëntë vjet nga vdekja e Sabri Godos

Sabri Godo ishte një ndër politikanët më të njohur në Shqipëri, shkrimtar dhe skenarist. Më datë 3 dhjetor 2011, Sabri Godo u nda nga jeta pas një beteje me një tumor në mushkëri. Varrimi u bë me datën 4 dhjetor në varrezat e Tufinës, Tiranë.

Godo ka lindur në Delvinë më 8 gusht 1929. Shkollën fillore e kreu në Delvinë dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë, të cilën e la në gjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste, nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia.

Ai u largua nga Shqipëria së bashku me nënën e tij sepse përndiqej politikisht. Ka patur veprimtari të ngjeshur në publicistikë, veçanërisht në revistën "Hosteni", ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.

Ndër veprat e tij artistike përmenden romanet dhe tregimet e tilla si: "Plaku i Butkës", Roman historik (1966); Ali Pashë Tepelena, roman 1970, Zëra nga burime të nxehta, tregime (1972); "Intendenti", tregim (1973); "Skënderbeu (1975), "Prova e zjarrit", roman (1977); "Kohët që shkojnë, kohët që vijnë", reportazhe (1985); "Ujërat e qeta", roman, (1988); "Koha e njeriut", roman (1990), "Udhëtari", roman (2009).

Në janar të vitit 1991 Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet. Aktualisht ishte kryetar i Asamblesë Kombëtare të kësaj partie.

Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.

Në 12 dhjetor 2012 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i dha Sabri Godos, pas vdekjes “Urdhrin e Skënderbeut” me motivacionin:

“Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë e vizionar, me kontribut të çmuar në proceset demokratike, shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit e vendit të tij"

Në 14 dhjetor 2012, Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano i ka akorduar Sabri Godos, titullin e nderit “Commendator” me motivacionin:

“Në konsideratë të meritave të veçanta, dhe me propozim të Presidentit të Këshillit te Ministrave, me dekretin e datës 27 dhjetor 2011, i dorëzon zotit Sabri Godo, Titullin e nderit “Commendator”, me të drejtën për të gëzuar nderimet e larta përkatëse dhe për tu regjistruar në librin e Commendatorë-ve".

Vdekja

Më datë 3 dhjetor 2011 Sabri Godo u nda nga jeta pas një beteje me një tumor në mushkëri. Varrimi u bë me datën 4 dhjetor në varrezat e Tufinës, Tiranë.

Qeveria shpalljen zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 4.12.2011, në nderim të të ndjerit, Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar.

“Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e atëhershëm të Qeverisë.

Ndërsa, më 10 maj 2013, Bashkia e Tiranës zbuloi bustin e Sabri Godos pranë Kuvendit të Republikës.