OHTK: Të premten, shansi i fundit që deputetët të kthjellen!
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës mendon se këtë javë është shansi i fundit që të votohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, duke pasur parasysh se jemi në kohë pandemie, e ku rritja e papunësisë është shumë e madhe.
Prandaj, OHTK kërkon që ky ligj të mos mbetet vetëm pjesë e deklaratave të përditshme por të hyjë në fuqi menjëherë.
“Ky projektligj padyshim që i prek të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjitha bizneset pa përjashtim, dhe përveç që është një lajm shumë i mirë qoftë për bizneset, ekonominë dhe për qytetarët në përgjithësi, miratimi i këtij ligji theksojmë që është i domosdoshëm në këtë kohë pandemie sepse do të shpëtojë shumë biznese, me theks të veçantë bizneset e hotelerisë dhe turizmit si dhe punonjësit e goditur nga pandemia COVID-19”, thuhet në komunikatën e institutit.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës thekson tutje se me miratimin e plotë të ligjit për rimëkëmbje do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të shumta që kanë pasur bizneset gjatë kësaj kohe, si dhe do të ndahen një sërë ndihmash për bizneset dhe qytetarët të cilët janë prekur më shumë!























