Punëtorët teknikë dhe sigurimi fizik në spitale nga e hëna në protestë
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat te Kosovës (SPSPK), në një konferencë për medie, ka njoftuar se që nga e hëna të gjithë punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik nëpër qendrat spitalore do të protestojnë nga 2 orë, duke mos ofruar asnjë shërbim.
Protesta do mbahet nga ora 10 deri në 12. Kjo protestë vjen pas diskriminimit që iu është bërë nga shteti, shprehen sindikalistët.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, tha se ky vendim iu është imponuar.
“Me prezencën e kryetarëve të shoqatave të punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit, u mor një vendim që neve na është imponuar për shkak të diskriminimit të punëtorëve. Që nga e hëna do të fillohet me protestë dyorëshe, nga 10-12 në të gjitha spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë dhe Ambulantat. Nuk do të kryejmë asnjë shërbim. Iu qoftë për marre atyre që na diskriminuan, ashtu siç bënë edhe gjatë viteve 1990-të”.
Ai ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë do të hyjnë në grevë.
“Nga java e dytë nëse s’përmbushen të drejtat tona, ne do të jemi në grevë. Na vjen keq për pacientët. Mbi 30 për qind e punëtorëve i kemi njerëz të prekur me Covid-19 dhe shteti nuk i ndihmoi, por i sanksionoi. Nuk ka më lutje, por vetëm hapa konkretë. Kemi të drejtën tonë ligjore që të futemi ne grevë dhe ta kryejmë të drejtën tonë”, tha Azemi.























