Çmimet e importit rriten me 0,9 % në 3-mujorin e tretë

Çmimet e importit rriten me 0,9 % në 3-mujorin e tretë

Çmimet e mallrave të importit janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke sinjalizuar presion mbi nivelin e inflacionit.

INSTAT raportoi sot se indeksi i Çmimeve të importit, në tremujorin e tretë të vitit 2020, arriti 94,6 duke shënuar një rritje me 0,9 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020 indeksi shënoi një rritje me 0,3 %.

Rritja e çmimeve të importit po nxitet nga oferta dhe vështirësitë që ka dhënë pandemia në zinxhirët e prodhimit dhe transportit, pasi kërkesa është në presion prej konsumimit të dobët. Të dhënat tregojnë se ka një tendencë për rritje të produkteve farmaceutike dhe kompjuterike.

Pandemia ka nxitur konsum të pazakonte të multivitaminave, antibiotikëve dhe preparateve të tjera mjekësore të tilla si oksimetra, aparatë tensioni, termometra, antibiotike etj.

Kërkesa në rritje është shoqëruar edhe çmime më të larta që do të na shoqërojnë përgjatë gjithë pandemisë.

Rritja më e madhe e çmimeve të importit prej 1,3 % vërehet në produktet e seksionit “Industria përpunuese”.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve optike, elektronikë, kompjuterikë” me 5,3 %, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike” me 4,1 %, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve p.k.t” me 3,7 %, “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure” me 3,6 %, etj.

Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin “Metalurgjia” kanë shënuar ulje me 3,9 %, pasuar nga “Prodhimi i produkteve të kauçukut dhe plastikës” me 2,5 %, “Shtypshkrime dhe rigrupim i mediave të regjistruara” me 1,8 %, etj.

Indeksi i Çmimeve të importit në tremujorin e tretë 2020 shënoi rritje me 0,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2020. indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve, ka shënuar rritje me 0,1 %.

Indeksi i Çmimeve të importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas./monitor/


MË SHUME NGA Ekonomi