“Deutsche Bank” redukton sërish kostot
Deutsche Bank synon të ulë kostot në mënyrë më drastike nga sa e kishte planifikuar më parë, njoftoi sot banka më e madhe gjermane gjatë një takimi investitorësh.
Ajo planifikon t’i ulë tani kostot në 16,7 miliardë euro (20,2 miliardë dollarë) deri në vitin 2022, nga 17 miliardë euro të parashikuara në fillim.
Shifra përjashton kostot e ristrukturimit për bankën, e cila ka pësuar një periudhë të trazuar që nga përplasja financiare e vitit 2008, kur u përball me gjoba të mëdha nga autoritetet financiare të SHBA-së dhe vendeve të tjera për një varg shkeljesh.
Banka sheh potencial për kursime të mëtejshme në Njësinë e Lirimit të Kapitalit (CRU) dhe, gjithashtu, planifikon të shfrytëzojë përvojat pozitive të kohëve të fundit me punën nga shtëpia dhe videokonferencat për periudhën e postpandemisë./atsh























