Franca gjobit "Google" dhe "Amazon" me 135 milionë euro
BKT
Ekonomi

Franca gjobit "Google" dhe "Amazon" me 135 milionë euro

Komisioni Kombëtar Francez për Informacionin dhe Liritë (CNIL) gjobiti kompanitë Google dhe Amazon me 135 milionë euro për "vendosjen e reklamave në kompjuterët e përdoruesve pa miratimin paraprak dhe pa siguruar informacion të mjaftueshëm".

CNIL në deklaratën e saj tha se dy degët e kompanisë Google (Google LLC dhe Google Ireland) janë gjobitur me 100 milionë euro ndërsa një degë e Amazon-it me 35 milionë euro.

Thuhet se kompanitë u ndëshkuan për vendosjen e reklamave në kompjuterët e përdoruesve pa pëlqimin e tyre paraprak.

Deklarata thekson se nëse përdoruesi hyn në faqen e internetit Google të Francës (Google.fr) dhe Amazon (amazon.fr), në kompjuterin e tij automatikisht shfaqen "cookies" për qëllime reklamimi ndërsa përdoruesi nuk ndërmerr asnjë veprim paraprakisht.

Shpjegimi i Komisionit thotë se 'cookies' për reklama "mund të vendosen vetëm pas pëlqimit të përdoruesit", duke shtuar se Google dhe Amazon kanë shkelur rregullat për marrjen e pëlqimit paraprak të përdoruesit.

"Google njoftoi në shtator të vitit 2020 se kishte ndaluar reklamimin e paautorizuar në kompjuterët e përdoruesve. Megjithatë, përdoruesit që vizitojnë faqen e tyre ose nuk janë informuar sa duhet ose nuk janë sqaruar kurrë që 'cookies' janë vendosur në ekranet e kompjuterëve të tyre", tha CNIL.

 


MË SHUME NGA Ekonomi