"Arçelik" dhe "Hitachi" hapin kompani me 300 milionë dollarë
Prodhuesi turk i teknikës së bardhë Arçelik dhe Hitachi Global Life Solutions (GLS) i Japonisë nënshkruan sot marrëveshje për të ngritur një kompani të përbashkët me 300 milionë dollarë.
Sipas marrëveshjes, Arçelik do të blejë 60 për qind të aksioneve në një kompani të re që Hitachi GLS do të hapë në Holandë, e cila do të kombinojë të gjitha operacionet e biznesit të pajisjeve shtëpiake të 12 filialeve të huaja të grupit japonez, theksoi Arçelik në deklaratë.
Dy kompanitë prodhuese dhe 10 të shitjeve të Hitachi GLS në Kinë dhe Tajlandë, së bashku me 3.800 punonjësit e tyre, do të transferohen në kompaninë e re, e cila sipas vlerësimeve do të hapet në tremujorin e dytë të vitin 2021.
Leven Cakiroglu, shefi ekzekutiv i kompanisë mëmë Arçelik të Koc Holding, tha se investimi është jetik për aspiratat globale të kompanisë turke.
Ai tha se rajoni Azi-Paqësor është rritur me shpejtësi për t'u bërë një qendër për investime të reja në vitet e fundit.
"Në këtë rajon, të cilin ne e kemi identifikuar si një nga zonat strategjike të rritjes për grupin tonë, bashkëpunimi ynë me një aktor të fortë si Hitachi do të përshpejtojë udhëtimin tonë të rritjes globale të Arçelik", tha ai.
Hakan Bulgurlu, drejtor i përgjithshëm i Arçelik tha se ka një potencial të madh në rritje të tregut të qëndrueshëm të konsumit në Azi-Paqësor, për shkak zhvillimit të klasës së mesme në rajon, rritjes së të ardhurave familjare dhe zhvillimit të kanaleve të shitjes me pakicë.
"Kjo do të jetë gjithashtu një forcë shtytëse për rritjen që do të ndodhë në industrinë tonë gjatë 10 viteve të ardhshme", tha ai.
Keiji Kojima, nënpresidenti ekzekutiv i Hitachi, tha se ky hap do të zgjerojë rrjetin e saj global të shitjeve dhe do të ofrojë produkte të markës Hitachi për konsumatorët në të gjithë botën.























