OAK kërkon shtyrjen e afatit për aplikim për investime strategjike
Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar me kërkesë konkrete kryeministrit, minstrave dhe Këshillit Kombëtar për Investime Strategjike, për shtyrjen e afatit ligjor të përcaktuar me Ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës. Oda e Afarizmit të Kosovës ka vërejtur se afati për aplikim në Ligjin për Investime Strategjike skadon javën e ardhshme përkatësisht me datë 31.12.2021.
Sipas Neni 27, pika 2 e Ligjit për Investime Strategjike përcakton që:
"Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuar për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit investim strategjik në zbatim të këtij ligji është data 31 dhjetor 2020."
Andaj, Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar ndryshim/plotësimin e këtij ligji, ashtu që ky afat ligjor të shtyhet deri me datën 31 dhjetor 2023, me qëllim që të ju mundësohet subjekteve investuese të interesuara të paraqesin kërkesat e tyre për përfshirje në procedurat për përfitimin e statusit investim strategjik.
OAK konsideron se me shtyrjen e këtij afati ligjor, do të jetësohet edhe vetë qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji, i cili është nxitja, tërheqja dhe krijimi i kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.
Veçanarisht, në këtë kohë kur këto investime janë shumë të nevojshme, kur dihet se ekonomia e vendit po përballet me krizë ekonomike, si pasojë e pandemisë globale Covid 19, përderisa investimet e huaja pritet të gjenerojnë të hyra dhe vende të reja të punës.
OAK kërkon gjithashtu që të gjithë ata që kanë aplikuar deri me tani të trajtohen sa ma shpejt nga ana KIESA-së, komisionit ndërministrorë dhe Qeverisë sepse edhe pse janë mbi 30 aplikime nga viti 2017-të kur ka hy ky ligj në fuqi, deri më tani kanë kaluar vetëm dy investitorë.























