Naftë pa taksa për fermerët, të premten nisin aplikimet
Më 15 janar nis aplikimi për naftë pa akcizë, pa taksë qarkullimi, pa taksë karboni, pa tvsh përkatëse.
Zv/kryeministri Erion Braçe duke sjellë këtë nismë në mbështetje të fermerëve u bën thirrje të aplikojnë.
“Naftë 800 lekë më pak. Aplikoni nga nesër. Shkoni pranë njësive administrative, ku një nëpunës ju ndihmon të aplikoni online”, ftoi Braçe fermerët.
Ai theksoi se përfitojnë fermerët individualë, shoqërite e bashkepunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë që kryejnë veprimtari bujqësore.
Braçe theksoi se ata përfitojnë “100% e sasisë së nevojshme për sipërfaqe deri në 10 hektarë, 100% e sasisë së nevojshme deri në 10 hektarë dhe, mbi 10 hektarë sasinë e naftës me normativë të reduktuar përfitimi për litër nafte: 37 lekë/litër akcizë, 27 lekë/litër taksë qarkullimi, 3 leke/litër takse karboni, 13.4 lekë/litër tvsh respektive. Totali 80.4 lekë/litër”.
Dokumentat e nevojshme tha Braçe janë, “Nipt i fermerit aktiv për fermerët individualë. Nipt/nuis aktiv për personat fizik e juridik me aktivitet bujqësor, tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim me dokumentat përkatëse, madhesia totale e fermës, mbi 0.4 hektarë dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektarë”.
Braçe kujtoi se aplikimi kryhet në portalin E-Albania, pranë njësive administrative, drejtorive të bujqësisë, ADISA.
“Mos harroni: hoqëm tvsh e taksën doganore për plehra kimike, pesticide, farëra e fidane bujqësore; hoqëm tvsh për mekanikën bujqesore e elementet e serave! etj etj etj! Kosto e punës në bujqësi nuk ka qenë kurrë më e ulët! Nderkohë; tatimfitimi e tvsh në bujqësi e kemi bërë zero”, përfundoi Braçe. /RTSH























