Fokusi i Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit monetar

Fokusi i Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit monetar

Në datat 12-14 janar 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në punimet e Forumit për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një organizim i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh së bashku figura të njohura të fushës politike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë por këtë vit në formatin virtual.

Sipas njoftimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, Guvernatori Sejko ishte i ftuar të mbante një prezantim në panelin kushtuar politikës monetare, se bashku me homologe te bankave qendrore si Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Koba Gvenetadze, Guvernator i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, Kyrylo Shevchenko, Guvernator i Bankës Kombëtare të Ukrainës, si dhe Boštjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë i cili u parapri nga fjala përshëndetëse e Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Europian të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në këtë panel, Guvernatorët diskutuan mbi rolin e rëndësishëm të bankave qendrore dhe përgjigjet e tyre ndaj situatës së krijuar nga pandemia, mbështetjen që këto institucione kanë dhënë për kapërcimin e sfidave ekonomike të vendeve përkatëse gjate kësaj periudhe, dhe strategjitë e politikë-bërjes për të siguruar dhe mbështetur rikthimin e rritjes ekonomike në vitet në vijim.

Sipas njoftimit gjatë ndërhyrjeve të tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimit që ka patur pandemia. Ai theksoi se masat e marra gjatë kohës së pandemisë nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kishin në fokus mbrojtjen e biznesit, familjeve dhe sistemit financiar nga efektet negative të krizës duke pasur si qëllim shmangien e kthimit të kësaj goditje të pashmangshme afatshkurtër në një krizë afatgjatë. “Falë kontributit të Bankës së Shqipërisë dhe politikave të mirë koordinuara makroekonomike, kjo u arrit me sukses, dhe tashmë pritet që aktiviteti ekonomik të vijë në përmirësim gjatë këtij viti që sapo ka hyrë, pas rënies së fortë të shënuar gjatë kësaj periudhe”, u shpreh ai.

Guvernatori shtoi se kriza aktuale globale e krijuar nga pandemia është kryesisht e ndryshme në shumë aspekte nga kriza globale e vitit 2008. Së pari, pasojat ekonomike erdhën si rezultat i kufizimeve të vendosura dhe jo i një flluske që shpërthen duke shkaktuar një krizë të madhe si ajo e 2008. Së dyti, ndikimet negative pritet të jenë të një natyre më afatshkurtër dhe kthimi duhet të jetë i shpejtë nëse situata me vaksinimin ndaj Covid-19 shkon drejt normalizimit. Së fundmi, politika publike ka qenë e natyrës së drejtpërdrejtë, duke ndërhyrë për të kompensuar financiarisht bizneset dhe familjet për të ardhurat e humbura me një seri mjetesh të ngjashme me atë të krizës së mëparshme. Si e tillë, ndërhyrja e politikave kishte një efekt të drejtpërdrejtë pozitiv dhe pritet të parandalojë ndërtimin e dobësive afatgjata në sektorin privat.

Duke u ndalur më konkretisht në masat e marra nga Banka e Shqipërisë, në përgjigje të situatës së krijuar, Sejko përmendi uljen e normës bazë të interesit dhe shtimin e injektimeve të likuiditetit; lehtësimin rregullator të përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimin e pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqjen e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Më tej, ai theksoi se sektori bankar ka dhënë gjithashtu një kontribut mjaft pozitiv në përballimin e krizës. Ky sektor iu përgjigj pozitivisht dhe në mënyrë aktive vendimit për shtyrjen e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimit të kredive për kategori të tjera, e cila ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori. Ndërkohë, rritja e kreditimit ka vazhduar dhe ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve.

Përsa i përket ndikimit në sjelljen e konsumatorëve, Guvernatori theksoi se kriza nga pandemia ka stimuluar inovacione të mëdha dixhitale dhe financiare si përgjigje e masave të distancimit social, regjimeve të punës nga shtëpia dhe ndryshimit të sjelljes së konsumatorit. Në këtë drejtim vihet re një rritje e kërkesës për përdorimin e instrumenteve elektronikë, kërkesë e cila është akomoduar më së miri nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet përmirësimeve infrastrukturore të sistemeve të saj, uljes së kostos së përdorimit të këtyre sistemeve dhe miratimit të Ligjit për Shërbimin e Pagesave.

Në përfundim, Guvernatori nënvizoi se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. Në një perspektivë afatmesme e afatgjatë, me zbutjen e efekteve negative të pandemisë, pritet që agjenda e politikave ekomomike si dhe e reformave strukturore në vend të kthehet në qëllimet e saj strategjike të para krizës, me qëllim rikthimin e rritjes ekonomike.