ISCHINGER MILOSHEVIQIT

ISCHINGER MILOSHEVIQIT

ISCHINGER MILOSHEVIQIT: NJERËZIT TUAJ JANË DUKE KRYER KRIME KUNDËR NJERËZIMIT, VERË 1998

Ismail Syla

Berlin, 8 maj 2018

Një ditë para takimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me kancelaren gjermane Angela Merkel, në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme presidenti Thaçi mbajti një fjalim tematik për të ardhmen e BE dhe relacionin e saj me Kosovën, në frymën e Samitit të Sofjes që do të mbahej më 17 maj 2018.

Sot, kur është përvjetori i 22 i masakrës së Reçakut del me vlerë të veçantë evokimi i kujtimeve të ish përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në negociatat për të ardhmen e Kosovës, brenda ekipit të Trojkës (2007), Wolgang Ischinger si panelist në forumin e DGAP.

Ambasadori dhe diplomati Ischinger para se të flas për një përjetim të tij në Kosovën e verës së e vitit 1998, elaboroi sukseset dhe dështimet e dy dekadave të shkuara në Ballkan, duke e quajtur këtë periudhë si një lloj  laboratori të përdorimit të mjeteve diplomatike dhe atyre të forcës.

Lidhur me përjashtimin e Kosovës nga Konferenca e Deitonit Ischinger kujtoi:

Në vitin 1995 kur po udhëheqja delegacionin e vogël gjerman në negociatat e Dejtonit për paqe udhëzimet e mia nga kancelari i asaj kohe Kohl si dhe ministri i jashtëm,  që të përpiqesha të fusja edhe Kosovën si pikë të rendit të ditës. Më vjen keq, nuk jam aspak i lumtur që të them që pata dështuar plotësisht, sepse kur ne e arritëm dhe po bisedonim për të përcaktuar rendin e ditës së konferencës me Holbrooke, britanikët, francezët, rusët dhe të tjerët, kur unë propozova që Kosova të ishte pikë e rendit të diskutimeve, atë botë Holbrooke më tha që edhe ashtu jemi të mbingarkuar, bile nuk jam i sigurt nëse mund ta drejtojmë plotësisht problemin e Bosnjës. Thjesht, harroje, - më tha.
Sot besoj që ky ishte një gabim i parë prej të shumtëve. Po të kishim filluar procesin e Kosovës më 1995 ndoshta nuk do të na duhej të ndërhynim ushtarakisht më 1999. Mu për këtë arsye po flas për një laborator të dështimeve dhe sukseseve.
Në pranverën e vitit 1998 kur tensionet ishin të dukshme dhe për personat që nuk ishin të afërt me rajonin, kur tensionet po rriteshin dhe dhuna tashmë kishte filluar, edhe njëherë u bë qartë për mua, kolegët e mi dhe ministrit tim të jashtëm që nuk ishte ora e Evropës, që nuk do të ishim në gjendje të përballeshim me efektivitet me këtë problem. 
E mbaj në mend qartë, ka qenë prilli i vitit 1998. Udhëtova drejt Washingtonit për të takuar nënsekretarin Paul Walker, i cili më tha se ju duhet ta angazhoni sërish Holbrooke-in. Holbrooke ishte i vetmi që në fakt mund të sillte energjinë dhe lidershipin, nëse Shtëpia e Bardhë ia lejon të lëviz që të na udhëheqë ne, evropianëve e me shpresë edhe rusët, e që të krijonte diçka si zgjidhje. Mu kjo ndodhi. Richard u  angazhua.

Diplomati Ischinger shpalosi një kujtim nga vizita që me bashkëpunëtorët e tij i bëri qytezës së Malishevës në verën e viti 1998.

“Dua ta ndaj edhe me ju një ngjarje në verën e vitit 1998. Kjo nuk është diçka që shumë njerëz e kanë parë. Unë, me një grup drejtuesish politikë të asaj kohe pata vizituar disa vende në dhe përreth Prishtinës. E mbaj mend mirë një fshat, nëse më kujtohet mirë, ka qenë Malisheva, vend i vogël i cili tashmë ishte braktisur gati krejt. Në rrugën drejt Malishevës kish objekte të shkatërruara, ara që po digjeshin, kishte kafshë të ngordhura përreth. Kishte gëzhoja të armëve automatike në pirg. Ishte e qartë që kishin gjuajtur drejt fshatareve për shumë kohë. Pra kisha parë tërë këtë presion të vrazhdë krejtësisht të papranueshëm, shkatërrimin që kishte ndodhur.
Të nesërmen, unë dhe drejtuesit politikë vizituam Millosheviçin. Normalisht, ishte në një kohë ku ende nuk kishim telefona të mençur, sepse po t’i kishim do t’ kishim fotografuar gëzhojat e plumbave, kafshët e ngordhura, pra kishim vetëm veten si dëshmitarë të këtyre ngjarjeve. I them Millosheviqit: “E dini president, njerëzit tuaj janë duke kryer krime të mëdha, të cilat mbase mund të jenë krime lufte si dhe që kjo është krejtësisht e papranueshme. Duhet t’i ndaloni!”. Ai më thotë me këto fjalë: “Zoti Ishinger, jeni duke shpikur këtë gjë, nuk mund të jetë e vërtetë”. Më vonë kur ne insistuam, ai na tha që nëse ka ndodhur çfarëdo gjëje, nëse është dëmtuar kushdo qoftë nga bujqit apo popullata në Kosovë, ai normalisht do të sigurohej që të paguhej, të bëhej  kompensimi i dëmeve etj. Me fjalë tjera, e kishte humbur lidhjen me realitetin.
Kjo pra ndodhte rreth gjysmë viti nga ndërhyrja ushtarake (e policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë, vër. ime). Pak më vonë në vitin 1999, pak ditë para se të fillonte ndërhyrja ushtarake më 24 mars të vitit 1999, ministri i mbrojtjes priti një delegacion të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara duke përfshirë zonjën Albright, si dhe një numër zyrtarësh nga NATO dhe gjeneralë amerikanë. Gjeneralët na thanë: shikoni, politikisht kemi vendosur, nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet të fillojmë me aksionin ushtarak. Pyetja jonë ishte, sa kohë do të merrte? Duhet të ketë qenë kah 15 marsi i vitit 1999. Gjeneralët na thanë tre ndoshta gjashtë apo shtatë ditë. Atë që e dinë rastin e vitit 1999 e mbanin mend na janë dashur 78 ditë. Ishte pra krejtësisht e tmerrshme, frustruese një situatë e palumtur si dhe nuk dua as të përmend se si ndjehej Joshkar Fisher me partinë e tij të gjelbër, që i rrinte në qafë, duke i thënë që nuk ishte aspak ide e mirë që të ndërhyhej ushtarakisht.” – kujtoi mes tjerash diplomati Ischinger.