Bullgaria do të bashkohet me Eurozonën në vitin 2024
Ministri bullgar i Financave: Vendi ynë do të bashkohet me Eurozonën në vitin 2024
“Ne presim që vendi ynë të bashkohet me Eurozonën në vitin 2024. Detyrat kryesore të qeverisë bullgare në rrugën drejt arritjes së këtij qëllimi lidhen me përmbushjen e angazhimeve të mëvonshme sipas Udhëzuesit europian, pas pranimit të Levit bullgar në ERM II, më 10 korrik 2020”.
Kështu u shpreh ministri i Financave, Kiril Ananiev, në një intervistë në Forumin vjetor Euromoney për Europën Qendrore dhe Lindore, i cili për herë të parë në historinë e tij 26-vjeçare, u zhvillua virtualisht në periudhën 12-14 janar 2021.
Fokusi i eventit janë sfidat financiare dhe ekonomike me të cilat përballen vendet në rajon, me përfaqësues nga Komisioni Europian, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, firmat e investimeve, bankat, ministrat e Financave të Polonisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri bullgar i Financave shtoi se “për anëtarësimin tonë të suksesshëm në Eurozonë, kemi nevojë për përgatitje të të gjitha njësive të biznesit dhe publikut për një tranzicion të shpejtë dhe të butë, nga pagesat në BGN në pagesat në euro”.
Ministri Ananiev njoftoi se është duke u përgatitur një Plan Kombëtar për hyrjen e euros në Bullgari, i cili do të detajojë aktivitetet që do të ndërmerren nga autoritetet dhe bizneset bullgare për hyrjen me sukses të monedhës së përbashkët europiane në vend.
Sipas tij, përmbushja e kritereve nominale të konvergjencës (të ashtuquajturat kriteret e Mastrihtit) dhe ndërmarrja e masave për të adresuar mospërputhjet e gjetura në BQE dhe Raportet e Konvergjencës të KE 2020, janë gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i aktiviteteve përgatitore: “Ne po punojmë intensivisht në përputhje me kornizën kohore dhe afatin minimal të caktuar për qëndrim në ERM II.
Për momentin, nuk ka rreziqe serioze dështimi në përmbushjen e zotimeve. Sigurisht, përmbushja e kritereve të Mastrihtit është në raport me parametrat dinamikë të formuar nga vendet anëtare të Eurozonës, të cilat janë të vështira për t’u parashikuar brenda mjedisit aktual të pasigurt”, tha ai.
“Doja të theksoja se pandemia paraqet një goditje shumë të madhe për ekonominë globale dhe europiane, duke përfshirë atë bullgare, me pasoja shumë të rënda socio-ekonomike, por besoj se nuk do të jetë një faktor në zgjatjen e qëndrimit tonë në ERM II.
Bullgaria do të vazhdojë të ruajë qëndrueshmërinë fiskale në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, në mënyrë që të vazhdojë të jetë një partner ndërkombëtar dhe një vend që respekton parimet e menaxhimit të disiplinuar dhe të kujdesshëm të financave publike të vendosura për më shumë se 20 vjet.
Kjo është ajo për të cilën ne po synojmë me Buxhetin e vitit 2021, duke vendosur disa nga nivelet më të ulëta të borxhit dhe deficitit në BE, duke rritur mbështetjen për sektorët ekonomikë dhe qytetarët e prekur nga pandemia”, tha Kiril Ananiev.























