Tabaku: Taksa e sheshtë sjell në buxhet 450 mln euro shtesë
Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku gjatë konferencës për shtyp me kryetarin e PD Lulzim Basha dhe ekspertin e ekonomisë, Dorian Teliti tha se sistemi i taksimit i Edi Ramës ka qenë gjobëvënës dhe klientelist.
Sipas saj, Rama takson më fort të varfërit dhe ata që punojnë ndershmërisht, ndërsa shtoi se uli taksat për oligarkët. Tabaku tha se taksa e sheshtë 9% do të ulë informalitetin si dhe sjell në buxhetin e shtetit 450 mln euro më shumë.
“Rama taksoi shtresën e mesme, uli taksat për oligarkët. Paketën e ndihmës e përdorën klientët e Ramës, jo biznesi i mesëm e i vogël. Ligjet speciale, vetëm padrejtësi dhe pabarazi shkaktuan. Ne, taksë e sheshtë që ka në fokus familjen dhe individin. Taksa e sheshtë 9% do të ulë informalitetin. Taksa e sheshtë 9%, drejtësi për shtresën e mesme. Vetëm nga taksa e sheshtë në buxhet do të arkëtohen rreth 450 milion euro më shumë. Heqja e disa taksave do të ketë efekte në buxhet, por nuk tejkalojnë të ardhurat shtesë nga taksa e sheshtë. Të gjitha efektet janë të përllogaritura dhe janë parashikuar në programin tonë“, u shpreh Tabaku.























