Gërxhaliu: I domosdoshëm emërimi i atasheve ekonomik në ambasadat e Kosovës
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se është i domosdoshëm emërimi i atasheve ekonomikë.
Sipas tij, diplomacia ekonomike dhe ajo politike kanë dështuar, sidomos me emërimet në baza politike e jo meritore. “Diplomacia, qoftë politike, ekonomike, kulturore apo ushtarake, është pasqyrë reale e një shteti dhe në këtë drejtim Kosova ka dështuar, pasi nuk ishte e orientuar në vlera, por në militantë partiakë për t’i pozicionuar këto vende. Ke sot diplomatë në vende të ndryshme që s’e njohin gjuhën dhe kulturën e atij vendi dhe si mund të këtë përfitime pozitive nga ta”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka thënë se është për keqardhje se si MPJ-ja nuk ka marrë hapa konkretë pasi, sipas tij, rëndësia e atasheve ekonomikë nuk është vetëm e aksit ekonomi, por edhe atij politik dhe psikologjik. “Është për keqardhje heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kur dihet se sa nota verbale e qeverive evropiane dhe më gjerë janë dërguar te MPJ-ja për pakënaqësinë me diplomacinë politike të Kosovës dhe me sjelljet jonjerëzore dhe njohuritë e tyre. Ky është degradim i madh që iu ka bërë Kosovës. Rëndësia e një atasheu ekonomik nuk është vetëm aspekti ekonomik, por edhe politik dhe psikologjik. Duhet të dish të mendosh dhe të komunikosh në aspektin gjeografik. Jeni duke e parë se vendet e BE-së dhe Ballkanit janë partnerë strategjikë dhe aty duhet të dërgohen njerëz që i meritojnë ato pozita”, ka thënë Gërxhaliu.























