Pacientët me COVID-19 po trajtohen me plazmën e gjakut të të shëruarve
BKT
Shëndetësi

Pacientët me COVID-19 po trajtohen me plazmën e gjakut të të shëruarve

Ariana Kasapolli

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pacientët e sëmurë me Covid-19, po trajtohen me plazmën e gjakut të qytetarëve që tashmë e kanë kaluar këtë sëmundje. Infektologu Sali Ahmeti i tha Radio Kosovës se koha e dhënies së plazmës së gjakut është shumë e rëndësishme për efektin e saj te pacientët.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka nisur trajtimi i pacientëve me COVID-19 me plazmën e gjakut apo konvalescente.  Trajtimi bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.

Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë.

Kjo metodë e trajtimit përmes plazmës është aplikuar në vazhdimësi për shumë sëmundje brenda Klinikës Infektive të QKUK-së.

Sali Ahmeti, infektolog, i cili njëherësh është edhe kryesues i grupit punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvalescente, i tha Radio Kosovës se efekti i plazmës së gjakut varet nga koha kur i aplikohet të sëmurit.

Efektet terapeutike të mira te plazma e gjakut do të priten nëse ajo arrihet të jepet në ditët e para të sëmundjes, ndërsa çdo vonesë në dhënien e saj i zbeh efektet terapeutike të saj.

Për sa i përket vullnetarëve të gjakut, ka njerëz të gatshëm të japin plazmën e gjakut, pra ata që e kanë kaluar sëmundjen e COVID-19’’, tha Ahmeti.

Ahmeti shtoi se tashmë ky lloj trajtimi te pacientët është bërë i zakonshëm, ndërsa shtoi se plazma e gjakut, aplikohet te pacientët sipas udhëzuesit.

‘’Ne kemi filluar ta përdorim në mënyrë rutinore plazmën e gjakut për rastet që janë indikative, respektivisht për rastet që,mendojmë se kanë nevojë për këtë trajtim. Tash për tash rastet
indikative, janë pacientët me forma të rënda të sëmundjes ose pacientët të cilët kanë parametra që mund të përkeqësohen në një formë të rëndë të sëmundjes’’, tha Ahmeti.

Ndryshe, në janar të këtij viti, Komisioni Evropian njoftoi se do të mbështesë një sërë projektesh, për trajtimin e koronavirusit me plazmën konvalescente.

Sipas BE-së, rezultatet e para janë premtuese, me pak të dhëna që tregojnë për raste kur ka pasur efekt të kundërt. Rezultatet e tjera priten të dalin pas provave klinike.

Rezultatet e deritashme sugjerojnë se transfuzioni më i hershëm i plazmës së gjakut nga donatorët, përmban më shumë antitrupa dhe ofron më shumë efikasitet në uljen e vdekshmërisë te pacientët me koronavirus.


MË SHUME NGA Shëndetësi