Bizneset në Korçë kundërshtojnë masat anti-COVID
Orari i ri policor që ka nisur të aplikohet në të gjithë vendin prej javës së shkuar ka shkaktuar jo pak problem për shërbimet e hotelerisë, baret e restorantet në Korçë.
Menaxherët e këtyre njësive shërbimi shprehen se për shkak të orarit të ri kufizues, xhiroja ditore është ulur ndjeshëm teksa bëjnë apel qeverisë për t’i financuar në këtë periudhë.
Masat e reja anti-COVID dhe kufizimi i qarkullimit në orën 20:00 janë kundërshtuar nga bizneset në Korçë. Shërbimet e hoteleri turizmit po ashtu edhe baret, lokalet dhe restorantet janë bizneset që janë prekur më së shumti nga ky kufizim i ri.
Donald Çela, menaxher i njërit nga lokalet në Pazarin e Vjetër shprehet se është ulur xhiroja dhe është bërë e vështirë pagimi i punonjësve, njofton euronews.albania.
Xhiroja është shumë e pakët dhe nuk arrijmë të paguajmë dot të gjithë punëtorët. Stafi është shumë i madh e pagat janë të larta. Ky është një problem shumë i madh. Meqenëse është periudha e pandemisë dhe vetë shteti duhet të financojë që edhe punëtorët edhe punëmarrës edhe punëdhënës të jenë të kënaqur me mbylljen e orës 8.
Po ashtu, edhe hotelet kanë pasur anulime të rezervimeve.
Kufizimi në orën 8 ka qenë i papritur për të gjithë ne pasi tani të gjithë bizneset u mësuan me orarin e 10. Kjo na ka krijuar probleme si me prenotimet që janë tek hoteli po ashtu edhe tek restoranti. Shumë klientë kanë anuluar për shkak se pas orës 8 nuk kanë më çfarë të bëjnë. Siç e kuptoni nuk mund të shtyjnë gjithë kohën në hotel.
Këto thirrje janë përforcuar edhe nga shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri.
“Ne jemi dakord për sa i përket masave që merr për shëndetin e njerëzve, por kjo duhet të ishte e alternuar me disa masa ekonomie për biznesin e vogël dhe të mesëm,” – u shpreh Bujar Muço, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri.
“Biznesi i vogël dhe i mesëm është biznes shërbimi, bar, kafene, restorante. Duhet të kuptoni që orët e pikut të biznesit janë në darkë. Duke ja kufizuar këtë orar, duke e lënë nga ora 10 ta sjellë në 8 do të thotë e kufizon ekonomikisht xhiron e tij, e ul normën e fitimit. Ne mezi po mbaheshim me gjithë vështirësitë deri në orën 10. Tani ne orën 8? Falimentim!” – shtoi Muço.























