Ekonomi: Shqipëria, përthith 95% të fondeve të BE-së në Bujqësi

Ekonomi: Shqipëria, përthith 95% të fondeve të BE-së në Bujqësi

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ishte këtë të hënë në mesditë e pranishme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku pasqyroi punën e dikasterit që ajo drejton në kuadër të kapitujve 11-12-13, që lidhen me Bujqësinë.

Ministrja Ekonomi, në fjalën e saj, vuri në dukje se rrugëtimi drejt Bashkimit Europan, është një rrugëtim për të përmirësuar legjislacionin kombëtar. Duke folur për kapitullin e 11 të Integrimit në BE, që lidhet me regjistrin e Fermave, Ekonomi tha se ky proces është duke u realizuar përmes kartave të fermerëve. “Në këtë prizëm mbështetja e fermave nga qeveria shqiptare nuk ka munguar. Një nga politikat e ndjekura është dhe dhënia e naftës pa akcizë për fermerin, që do të thotë se për çdo fermë, që përdor 100 litra naftë për modernizimin e shërbimit në fermë, 54-56 litra naftë, ferma i merr falas. Për këtë atij i duhen dy elemente; NIPT-i i sipërmarrjes së tij dhe që ky NIPT të jetë i lidhur me një parcelë. Një fermer duke bërë këtë veprimtari ndihmon në ngritjen e regjistrit të fermave, duke ndjekur kështu modelin e BE, “Ajax”, që lidh fermerin me parcelën, duke krijuar kështu dhe kontabilitetin vjetor të aktivitetit të tij”,- tha Ekonomi.

Ministrja e Bujqësisë shtoi se është mbyllur tashmë dhe thirrja e tretë e IPARD, e cila është dëshmi se vendi ynë ka treguar se është nga më të aftët në thithjen e fondeve të BE për Bujqësinë, sa i takon Ballkanit Perëndimor. “Ka përfunduar dhe thirrja e tretë e IPARD, ku kanë aplikuar 369 fermerë dhe vlerësimi i aplikimeve është ende në proces. Duhet të kemi patur parasysh, se, që kur janë hapur thirrjet e IPARD në Shqipëri, duke nisur nga viti 2014, kemi rreth 1 057 aplikime, ku në thirrjen e parë iu dha mundësia 317 fermerëve të jenë fitues, 371 fitues u përzgjodhën në thirrjen e dytë, ndërsa tani po presim vlerësimin e thirrjes së tretë. Janë lidhur deri tani 271 kontrata. Në total kemi harxhuar një vlerë prej 46 milionë euro, teksa shuma totale e IPARD është 94 milionë euro, ku qeveria shqiptare kontribuon me ¼ e fondit”,- tha Ekonomi. “IPARD-i ka treguar se Shqipëria është shumë e aftë të thithë fonde, madje më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Thithja e fondeve nga Shqipëria është 95%, një vlerë shumë e rëndësishme kjo përsa i takon kapitullit të 11, në dy këndvështrime. E para, sepse po bëhemi gati të ngrimë regjistrin përmes kartës së fermerit, pra përmes elementëve tanë dhe së dyti, fakti që Shqipëria ka qenë e sukseshme në përdorimin e fondeve të IPARD”,- thekson Ekonomi.

Ministrja Ekonomi tha se po ecet me ritëm të kënaqshëm puna për kalimin nga ferma të zakonshme në ferma bujqësore. “Në vitin 2020 përmes skemës së mbështetjes kombëtare për prodhimin organik, ku u kërkua kalimi në ferma organike, u vunë në dispozicion disa fondeve. Në vitin e parë 100 mijë lekë, për vitin e dytë 150 mijë lekë dhe në vitin e tretë 200 mijë lekë,. Në total janë 60 kontrata të nënshkruara, ndërsa aplikimet arritën 125 ferma. Ritmi i rritjes së fermave shqiptare nga fermat të zakonshme në ato organike, ka qenë tejet i kanaqshëm”,- the Ekonomi, duke mbyllur pasqyrimin e punës për kapitullin e 11. Duke folur për kapitullin e 12, që flet për sigurinë ushqimore, ku në fakt rekomandimet kërkojnë që të përfundojë riorganizimi i shërbimit veterinar, Ekonomi, u shpreh se ky shërbim ka qenë i copëzuar deri pak vite më parë. “Këtu shërbimi veterinar ka qenë i copëzuar, hallkat jo të lidhura mes tyre, pasi një pjesë ishte në privat, një pjesë në shtet dhe puna ishte e paqartë. Sot është konceptuar si një i gjithë, duke ngritur autoritetin kombëtare të shërbimit veterinar si një trup të vetëm, të ndarë dhe sipas Drejtorive rajonale. Kjo siguron ndjekjen e kafshës, që nga moment i matrikulimit, duke i dhënë mundësi veterinerit të ndjekë shëndetin e kafshës në çdo hap, vaksinimin…etj, në çdo moment të jetës së saj deri tek thertorja. Në këtë pikë fundore, hyn në lojë dhe koordinimi i punës me AKU, që ndjek procesin e higjienës dhe kushtet pas therjes. Në këtë formë, sot kemi një regjistër për kafshët, që njihet me emrin e regjistrit “RUDA”, duke qenë kështu konform të kapitullit të 12-të”,-tha Ekonomi.

Në kapitullin e 13, që lidhet me peshkimin, rritja e prodhimit të Peshkimit është 7.2% nga viti 2019 në vitin 2020. “BE ka rekomanduar të ndërmerren disa hapa për plotësimn e disa hapave administrativë në fushën e peshkimit. Në këtë prizëm janë bërë ndryshime të rëndësishme ligjore përgjatë viteve 2019-2020, çka na ka sjell dhe një situatë të përmirësuar në sektorin e prodhimit të peshkut. Në vitin 2020, ishte 16.3 mijë ton eksport, duke patur një situatë të përmirësuar me 7.2% nga viti 2019, ku ishte 15.2 mijë ton”,- tha Ekonomi. Ajo shtoi se një nga pikat më të rëndësishme të sektorit është se flota e peshkimit është pajisur tashmë me blu box, për të montoruar peshkimin që të realizohet në zonat e përcaktuara. “Po përfundon një plan për zonat e akuakulturës, që u hartua nga Ministria e Bujqësisë, dhe u nda dhe me ministritë e tjera që kanë zë me përdorimin e ujërave në vendin tonë, atë të Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrisë së Infrastrukturës. Sot kemi të përcaktuar një zonë ku mund të zhvillohet akuakultura të nesërmen”,-tha Ekonomi.

“Gjatë kësaj periudhe kemi bërë përmirësime për të përmirësur flotën e anijeve të peshkimit, duke patur parasysh që profesioni i peshktarit kërkon më shumë nxitje, sepse hyn tek disa profesione në ulje. Tani po vendoset dhe lidhja satelitore për të ditur se ku ndodhen anijet. Ky është një bashkëpunim mes ministrisë dhe AKSHIT”,- përfundoi Ekonomi.


MË SHUME NGA Ekonomi