Pandemia COVID-19 godet mundësitë e punësimit të të rinjve në Gjermani

Pandemia COVID-19 godet mundësitë e punësimit të të rinjve në Gjermani

Megjithëse në plan të parë shifrat e papunësisë nuk janë të larta në Gjermani, tregu i punës po tregon efektet e pandemisë COVID-19. Më së shumti pasojat i vuajnë të rinjtë. Ekspertët paralajmërojnë nga një brez i humbur.

Instituti Gjerman i Tregut të Punës dhe Profesionit (IAB) ka hulumtuar se kush i vuan më së shumti pasojat e krizës së pandemisë. Në studimin e paraqitur së bashku me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, thuhet se Gjermania po shkon drejt një krize në vendet e shkollimit profesional.

Sipas drejtorit të IAB, Bernd Fitzenberger tregu i punës në tërësi po tregohet hë për hë rezistent. Kjo lidhet me masat e marra, si mbështetja nga shteti e punës me orar të shkurtuar, gjë që i bën firmat t’i mbajnë punëmarrësit në punë, me gjithë krizën. Por pasojat e turbulencave në tregun e punës po i ndjejnë më së shumë të rinjtë, kanë arritur në përfundimin studiuesit e IAB në Nuremberg.

“Tregu i shkollimit profesional është goditur rëndë. Sipërmarrjet po e reduktojnë numrin e vendeve të shkollimit profesional për vitin 2021”, thotë Fitzenberger.

Një e dhjeta e sipërmarrjeve do të kufizojë vendet e shkollimit profesional ose nuk do të ofrojë më asnjë vend për vitin 2021/2022.

Ngadalë edhe në statistikat e Agjencisë Federale të Punës po reflektohen efektet e pandemisë. Zyra Federale e Statistikave njofton për rënie të numrit të të punësuarve në sektorin e shërbimeve. Në fund të vitit 2020 numri i të punësuarve ka qenë 44.8 milionë persona, 1.6 milion prej tyre më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Për shkak të kësaj krize në shkollimin profesional të të rinjve, Fitzenberger kërkon mbështetje nga shteti të sipërmarrjeve që ofrojnë vende të shkollimit profesional, në mënyrë që ato t’i ruajnë vendet e madje edhe t’i shtojnë.

“Nuk duhet të krijohet një gjeneratë e Coronavirusit në tregun e punës. Sepse papunësia në fillim të jetës së punës edhe vite më vonë ka efekt në rroga më të ulta dhe pason me papunësi më të shpeshtë”, thotë ai.

Kritike paraqitet situata edhe tek punët me paga minimale pa sigurime shoqërore e që nuk mbështeten nga fondi për pagën me orar të shkurtuar aktualisht, të cilat shpesh kryhen nga nxënës të klasave të larta apo studentët. Vetëm në nëntor humbën 100 mijë vende pune në sektorin e hotelerisë për shkak të mbylljes.

“Në tërësi kemi një gjysmë milionë ‘mini-jobs’ më pak se para një viti”, është shprehur kreu i Agjencisë Federale të Punës, Detlef Scheele.

Për shkak të krizës së pandemisë një gjeneratë e gjithë ndeshet me një të ardhme të pasigurt. Jo vetëm ata që duan shkollim profesional, por edhe studentët që sapo mbarojnë studimet e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune, sepse sipërmarrjet hezitojnë të punësojnë.

Heike Solga, eksperte e tregut të punës nga Qendra Shkencore për Studime Sociologjike në Berlin (WZB) paralajmëron për 3sat nga pasojat afatgjata të pandemisë tek rinia.telegrafi


MË SHUME NGA Ekonomi