​Aeroporti Heathrow mbyll vitin 2020 me humbje prej 2.8 miliardë dollarësh

​Aeroporti Heathrow mbyll vitin 2020 me humbje prej 2.8 miliardë dollarësh

Aeroporti Heathrow i Londrës, një nga më të ngarkuarit në botë, përmbylli vitin 2020 me një humbje prej 2 miliardë funte (2.83 miliardë dollarë), për shkak të kolapsit të trafikut ajror, i cili erdhi si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Autoriteti i aeroportit të Londrës po kërkon mbështetje më të madhe nga qeveria britanike në mënyrë që kompania të mbijetojë, raporton portali Quartz.

Kryeshefi ekzekutiv i aeroportit Heathrow, John Holland-Caye tha se numri i pasagjerëve vitin e kaluar ra në nivelin më të ulët që nga vitet ‘70, dhe se situata nuk shënoi përmirësim as në fillim të këtij viti.

Në aeroportin Heathrow, vetëm 677.356 pasagjerë janë shërbyer në janar të këtij viti, krahasuar me pothuajse 6.1 milionë në janar 2020.

Gjatë gjithë vitit të kaluar, vetëm 22.1 milionë pasagjerë u shërbyen, me më shumë se gjysma e tyre udhëtuan në dy muajt e parë 2020, para se të mbylleshin kufijtë në të gjithë Evropën si pjesë e masave antiCOVID-19.

Të ardhurat totale të Heathrow ranë 62 për qind vitin e kaluar, pavarësisht nga fakti se "kostot bruto të operimit u ulën me pothuajse 400 milionë funte dhe shpenzimet kapitale me 700 milionë, dhe u mblodhën 2.5 miliardë në financim, i cili përfshinte një injeksion financiar prej 600 milionë funte, njofton kompania në një deklaratë.