BQE nën presion për shkak të rritjes së rendimenteve dhe inflacionit

BQE nën presion për shkak të rritjes së rendimenteve dhe inflacionit

Banka Qendrore Europiane pritet të organizojë një takim javën e ardhshme nën presionin për të shqyrtuar rritjen e planit të saj të nxitjes urgjente, pas një rritjeje të papritur të të ardhurave të bonove, që kërcënuan rritjen e kostove të huamarrjes dhe dëmtimin e rimëkëmbjes postpandemike të zonës euro.

Analistët presin që BQE të lërë normat e saj kryesore të interesit në nivele të ulëta rekord, duke mbajtur normën e saj të rifinancimit në zero, kur të takohet javën e ardhshme në Frankfurt.

Sidoqoftë, ata thonë se “rritja e fundit në rendimentet e obligacioneve mund të detyrojë BQE-në të konsiderojë rritjen e planit të saj të blerjes së bonove prej 1,85 trilionë eurosh (2,25 trilionë dollarë), që synon të frenojë kostot e huamarrjes dhe të nxisë një rimëkëmbje nga kriza e COVID-19.

“Ne presim që BQE të përparojë me blerjet e saj të planifikuara të aseteve dhe të dërgojë një mesazh të qartë të gatishmërisë së saj për të vepruar, në takimin e javës së ardhshme”, tha Carsten Brzeski, kreu global për Makroekonominë në ING Bank.

Një ndërlikim i mëtejshëm i detyrave me të cilat po përballet këshilli prej 25-anëtarësh i BQE-së ishte edhe një rritje e papritur e inflacionit vjetor, me +0,9 % në shkurt.

Kjo rritje, që solli fundin e pesë muajve rënie çmimesh, e shtyu inflacionin vjetor sërish drejt objektivit vjetor të BQE-së prej vetëm pak nën 2 %./atsh