Oda e Mjekëve nderon me mirënjohjen mjekët që u ndan nga jeta vitin 2020
Oda e Mjekëve ka bërë ndarjen e mirënjohjeve përkujtimore për mjekët që janë ndarë nga jeta gjatë vitit 2020 dhe institucionet shëndetësore mbështetëse të rajonit të Prishtinës, për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se e kanë detyrim që të kujtojnë kontributin e kolegëve që humbën jetën sidomos atyre gjatë pandemisë.
“Ndoshta nuk është çdo herë në tubimet tona për të përkujtuar vetëm sukseset avancimet e kolegëve tanë, por ja që jeta ka edhe medaljen tjetër ku ne humbim kolegët tanë, pjesë të ekipeve tona që janë pjesë e kujtimeve tona”.
“Viti i kaluar ka qenë i rëndë në veçanti për komunitetin tonë të mjekëve që përveç humbjeve të shumta që kemi në radhët tona si pjesë e jetës së zakonshme që edhe jeta e vdekja janë pjesë e saj na është shtuar edhe mortja e madhe që po ndodhë anë e mbanë botës”.
“Kemi për detyrim që si Odë e Mjekëve të kujtojë ata të cilët ishin pjesë e jona e punës sonë për tu shërbyer popullatës. Bazuar në rregulloren për dekorata e medalje të Odës komisioni gjegjës ka marrë vendim që kolegët tanë që ndërruan jetë gjatë vitit 2020 të nderohen me medaljen ‘Nderi i mjekut’”.
Familja e doktor Abaz Krasniqi, Adem Limani, Bedri Sadriut, Bedri Zahiti e Gjon Gjidoda ishin disa nga ata që morën dekorata.

























