MIRËNJOHJE PËR PRESIDENTIN WILSON

MIRËNJOHJE PËR PRESIDENTIN WILSON

Të shumta janë rastet kur shqiptarët i kanë harruar të mirat që të tjerët  i kanë bërë për ta.  Madje edhe njerëzit që tërë jetën e tyre i kanë kushtuar çështjes shqiptare. Siç ndodh rëndom, pak vite pas, mirënjohja zbehet, në mos thënë, zhduket fare.

Keni dëgjuar kohëve të fundit të flitet për Johan George Fon Han? Po për Gustav Mayerin a Holger Petersenin?  Pluhuri i harresës e ka mbuluar edhe Milan Shufflay-n, një ndër albanologët më të shquar që ka njohur historia.

 Kush prej jush ka dëgjuar për ambasadorin amerikan, George Fred Williams, i cili ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga karriera diplomatike si solidarizim me Shqipërinë dhe shqiptarët. Pas dorëheqjes, i vetëdijshëm për gabimet e Fuqive të Mëdha mbi territoret shqiptare, ai kishte deklaruar: “Drejtësia dhe e vërteta nuk mbrohen në sallat e diplomacisë.”.

    Ishte pikërisht Ambasadori Williams  që duke qenë mik i afërt i Presidentit Woodrow Wilson e njoftoi me gjendjen e rëndë në të cilen ndodhej populli shqiptar. Popull ky që po luftonte me ekzistencën. Në kujtimet e tij presidenti Wilson shkruante: “Më fliste përherë për Shqipërinë dhe shqiptarët, me respekt dhe me dhimbje. Madje edhe kur dilnim për gjah, saqë kishte raste kur më duhej t’i thoja boll më.”

    Përveç Ambasadorit, më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historik ku është varrosur presidenti i parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar shtetin shqiptar. Personalisht, Noli e përshkruan kështu takimin me presidentin Wilson në një fjalim drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens. “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqësuesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflower gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë.”

    Përderisa para takimit me Wilsonin, Noli e shikonte si plotësisht të errësuar fatin e Shqipërisë, pas takimit  ai deklaroi: “Atë ditë fati i Shqipërisë ish m’i ndriçuar.”

    Nuk mund të paragjykojmë sesi, por ajo që dihej ishte se presidenti Wilson kishte njohuri të thella e të shoshitura mirë për problematikën shqiptare. Kjo ndikoi që me sa duket që Wilsoni t’i mbronte interesat shqiptare më mirë se kushdo tjetër, madje edhe më mirë se vetë shqiptarët ( që jo se nuk donin, por se nuk mundnin) që në atë kohë, nuk ishin kurrfarë faktori as politik as ushtarak.

    Ishte 8 janari i vitit 1918 kur presidenti Wilson doli me planin e tij 14 pikësh. Në pikën e parë ai dha goditjen përfundimtare traktateve të fshehta që mendohej se kishin filluan luftën dhe preknin direkt territoret shqiptare kurse në një pikë tjetër ai lansoi parimin e vetëvendosjes që ndihmoi pavarësimin e Shqipërisë. Wilsoni u shpreh kategorikisht kundër çdo ndarjeje të mëtejme të Shqipërisë që tashmë veç ishte fakt i kryer.

    Duke qenë thellë i involvuar në ngjarje, kush më mirë se Noli mund ta përshkruaj këtë periudhë: “Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë më të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet  e copëtimit të Shqipërisë redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, që jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjeq dhe me dy nota, në cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer.”

    Të mos futemi thellë në histori, pasi sot kjo nuk është çështja. Në këtë thirrje, tema është mosmirënjohja e thellë e Kosovës ndaj Woodrow Wilsonit, presidentit që shpëtoi Shqipërinë. 

    Në Kosovë, kemi dëgjuar gjithfarë emrash rrugësh e shkollash. Kemi hasur në plot emërtime pa pikë kuptimi e pa pikë përmbajtjeje, por emrin e Wilsonit nuk e shkroi kush dot. E harruan shqiptarët që një firmë e tij  mund t’a ndryshonte historinë. Harruam se kurrë nuk ka qenë më në pikëpyetje ekzistenca e Shqipërisë sesa në vitet e qeverisjes së Wilsonit. 

           Për kontributin e Wilsonit ndaj çështjes shqiptare mund të shkruheshin dhjetëra libra e mund të organizoheshin qindra konferenca shkencore. 

As këtë nuk e bëmë! Veprat kushtuar Wilsonit dhe kontributit të tij për Shqipërinë janë aq të pakta dhe aq sipërfaqësore sa mund të numërohen me gishtat e dorës.

Njëjtë si Noli që bashkoi tërë parlamentin shqiptar me fjalimin e tij më 11 shkurt 1924 për Wilsonin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe ne sot, duhet të bashkohemi për t’a nderuar atë që na ndihmoi kur ne ishim të pashpresë përballë Fuqive të Mëdha, atë që ngriti zërin për ne, kur ne nuk kishim fare zë. Njeriut që i kemi borxh çdo centimeter tokë që sot ka Shqipëria.

Ndonjë shesh, shkollë, apo rrugë kryesore e kryeqytetit duhet ta mbaj emrin e tij, jo sepse kemi dëshirë, por se e kemi obligim. Jo se kemi mundësi, por se e kemi detyrë t’a nderojmë mikun. (VALDRIN RRAHMANI)