Shfuqizimi i “Euriborit” nga Banka Qendrore Europiane
Në kohën që autoritetet europiane janë në diskutime për të shfuqizuar si indeks “euriborin” dhe “liborin”, Shqipëria po përgatit bazën ligjore për t’i paraprirë këtyre ndryshimeve në kontratat e kredisë të cilat janë marrë në monedhën euro dhe kanë të aplikuar si normë referuese euriborin.
Në një projekt vendim të përgatitur nga Banka e Shqipërisë “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, i jepet e drejtë bankës që të zëvendësojë indeksin orientues të kredisë duke llogaritur një referencë tjetër, pa patur nevojë për marrjen e pëlqimit të klientit, pasi shfuqizimi euribor-it do të konsiderohet Forcë Madhore.
“Bankat nuk ndryshojnë, pa pëlqimin e klientit, gjatë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë metodën e llogaritjes së normës së interesit, penalitetet në rast vonese si dhe çdo parashikim tjetër që e ngarkon klientin me kosto financiare, me përjashtim të rasteve të aplikimit të klauzolës së ndryshimit tëindeksit orientues.”
Aktualisht indeksi “libor” i cili prodhohet nga tregjet financiare të Londrës do të shfuqizohet në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa autoritetet e Bankës Qendrore Europiane janë në diskutime nëse në rastin e “euribori-t” do të dalin me një indeks të ri, apo do të mbajnë të njëjtin.
Pothuajse se gjysma e kredisë, 2.3 miliardë Euro, është e dhënë në monedhën Euro dhe ka një interes efektiv të llogaritur me indeksin e “euriborit”.
Nga ana tjetër Banka Qendrore po merr masa në hartimin e rregulloreve për të mbrojtur konsumatorin në rastin e ndryshimit të normës së interesit, nëse vendoset jashtë logjikës së tregut, duke marrë si referim mesataren e 3 muajve të fundit plus 1/3.
Tv Klan























