Ekonomia greke do të rritet me 2.7 për qind në vitin 2021
Ekonomia greke pritet të rritet me 2.7 për qind në vitin 2021, sipas raportit të parashikimit ekonomik të publikuar nga Zyra e Buxhetit të Parlamentit.
Duke paraqitur raportin, Frangiskos Koutentakis, kreu i Zyrës, tha se këto vlerësime mbajnë një nivel të konsiderueshëm pasigurie, bazuar në zhvillimet e masave kufizuese të pandemisë, dhe nga ndërhyrjet e mundshme fiskale dhe shfrytëzimin e fondeve nga Fondi i Rimëkëmbjes.
Zyrtarët thanë se prisnin që ekonomia greke të tkurrej me 7 për qind në tremujorin e parë të këtij viti dhe se kjo tendencë do të përmbysej në tremujorin e dytë e në vijim.
Raporti gjithashtu paraqiti dy skenarë të tjerë bazuar në mundësinë e një ndërhyrjeje fiskale shtesë me vlerë 5 miliardë euro përmes transferimeve ose në konsumin publik.
“Në rastin e parë, shkalla e rritjes do të arrijë në 3.65 për qind, ndërsa në të dytën shkalla e rritjes do të arrijë në 4.84 për qind”, nënvizohet në raport.
Raporti theksoi se megjithë zhvillimet e pafavorshme ekonomike dhe fiskale, vlerësimi i kredisë së vendit mbeti i fortë, siç tregohet me përfundimin me sukses të një emisioni 30-vjeçar të bonove, dhe nënvizoi se përshpejtimi i vaksinimeve në vend dhe një lehtësim gradual i masave kufizuese deri në verë mund të kontribuojnë pozitivisht në aktivitetin ekonomik, kryesisht përmes turizmit.
Raporti vuri në dukje se borxhi i akumuluar gjatë pandemisë do të bëjë presion mbi buxhetin e shtetit pas tërheqjes së blerjeve të bonove shtetërore nga Banka Qendrore Evropiane.
Raporti gjithashtu nënvizoi rreziqet nga një borxh privat në rritje. Borxhi privat arriti në 242.6 miliardë euro në vitin 2020. Edhe pse nuk është rritur krahasuar me vitin 2019, pritet të rritet ndjeshëm pasi të fillojë zbatimi i ripagimeve./Amna.gr























