Abdyl Krasniqi, historiani që u bë vet histori

Abdyl Krasniqi, historiani që u bë vet histori

Shkruan: Bedri TAHIRI

E vërteta dhe drejtësia janë mbi të gjitha se vetëm

prej tyre varet madhështia e kombit. (Emil Zola)

________________________________________________

 

Llapusha, me pesëdhjetë e gjashtë fshatrat e saj, e gjendur ngjitur mu me zemrën e Drenicës, përherë u përcëllua ashpër nga flakët e luftës dhe të betejave të pareshtura. As vetë nuk qe pa lisa të mëdhenj, të pushkës e të mendjes. Kulla e Sadik Ramë Gjurgjevikut dhe Oxhaku i Ramadan Shaban Kijevës rrezatuan atdhedashuri e mënçuri nëpër mote e vite. Dyert e kullave të kësaj ane gjithmonë qenë të hapura për trimat dhe luftëtarët e lirisë. Azem Galica s’ka të njehur sa e sa  konaqe bëri atje për të gjallë, andaj edhe pas rënies, ato male besnike ia siguruan varrin më të thellë në botë...

 

Lis rrënjëthellë

 

Ndër vendbanimet e hershme e me zë të kësaj treve heroike është edhe Drenoci. Sa emër i bukur! Vendësit e lidhin me praninë e madhe të drerëve e drenushave. Treqind e ca shtëpitë e tij, të shpërndara si me dorë të lirë, nëpër lagje të ndryshme, krijojnë mozaik me shije artistike.

Shtëpia e Selim Sadrisë, ngritur mbi kurrizin e dalë të një kodrine vezake, që gjason në samar breshke, tymonte thik përpjetë, sepse gëzonte autoritet të madh këtu e më larg. Pragu dhe nderi i saj kurrë s’ishin shkelur as koritur. Tehun e mbarë ia lanë të parët, burrat me nam, që nuk e shmangen asnjëherë vijën kombëtare. I ati, Sadriu, ishte nip i atdhetarit të madh, Prof. Imer Berishës nga Gjurgjeviku i Madh (1912-1946). Për të qenë, edhe vetë ishte lis me rrënjë të thella e të forta, dajë e kishte trimin e njohur, Alush Smajl Javorin e Llazicës (1899-1946).

Ky burrë babagjan jetonte i qetë dhe në harmoni me të shoqen, Fatimen nga Lubizhda dhe me dy fëmijët: Abdylin dhe Ajshen.

Abdyl Krasniqi u lind më 1 maj 1939 në Drenoc të Malishevës (atëbotë i takonte Klinës). Mësimet fillestare i mori në Carrallukë e të mesmet në Normalen e Prizrenit. Studimet për histori-gjeografi i kreu në SHLP në Gjakovë, ndërsa Fakultetin e Historisë në Tiranë. Për disa vite shpërndau rrezet e diturisë në Ujmir, Malishevë e Drenoc. Por shkurt, se shpejt ia hoqen ditarin nga dora. ”Të arrestohet irredentisti me bindje nacionaliste Abdyl Krasniqi!”- shkruhej në urdhrin e dalë nga zyrat e UDB-së jugosllave.

Mirëpo, sot,  nxënësit e tij, të cilëve ua mësoi historinë tonë të përvuajtur e që mbajnë tituj të lartë shkencor, e nderojnë dhe e respektojnë denjësisht profesorin e tyre të paharruar..

 

Historiani që vetë u bë histori

 

Secila kohë i ka heronjtë e vet. Kështu është thënë denbabaden, dhe kjo është mëse e vërtetë. Për vepra të mëdha sikur janë të përcaktuar njerëzit që  më parë. Kështu për nxjerrjen e eshtrave të kryetrimit të Drenicës e të mbarë shqiptarisë, për çvarrosjen e mitit, fati e kishte përcaktuar mësuesin dhe atdhetarin e Drenocit të Malishevës, Abdyl Selim Krasniqin. Ai këtë mision të shenjtë e kreu në moshën 35 vjeçare, moshë kjo që përkonte me moshën sa kishte jetuar kryetrimi. Këtë ide e kishte pasur kaherë në kokë, por rrëfimet e dajës e frymëzuan edhe më duke ia ngriten në një ideal të pashuar jetësor.

Siç rrëfen vetë Abdyli, moment vendimtar për ta ndërmarrë këtë akt heroik ishte biseda me dajën e vet, Kadri Imer Berishën nga Gjurgjeviku i Madh.

...Një ditë Kadriu kishte vajtur te Abdyli. Dajë e nip po e dëgjonin Radio Prishtinën, emisionin: Urime dhe përshëndetje. Aty u këndua një këngë për Azem  Bejtë Galicën. Kadriut filluan t’i rrjedhin lotët nga mallëngjimi. Abdyli e kishte vërejtur dhe pas pak e kishte pyetur pse po qante? Ai pa një pa dy iu kishte përgjigjur:

- Si mos të qaj o nip, Azem Bejtën e kam pasur, jo vetëm udhëheqës por edhe shok e vëlla. Ai jo vetëm se ishte trim, por edhe i vlefshëm për popullin tonë...E sot...kur po e kujtoj se varri i tij s’gjendet kund, sepse me duart e mia e kam lëshue kufomën e tij në shpellë...

Fill pas kësaj Abdyli iu rrek punës. Bëri planet e duhura dhe formoi ekspeditën prej më se pesëdhjetë vetash nga fshatrat përreth: Drenoc, Kijevë, Gjurgjevik, Rigjevë, Gllarevë, Përçevë...

Më 22 maj 1971, në orën 9 të mëngjesit, iu afruan grykës së shpellës „Çuku që kërset “. Duke e menduar shpellën shumë të thellë me vete kishin marrë litarin e gjatë 100 metra. Abdyli i përgatitur mirë, shpirtërisht e fizikisht, nisi të lëshohej gurmazit të asaj shpelle enigmatike, nëpër të cilën pos Azemit të pashpirt s’kishte kaluar askush. Me vete kishte maskën dhe llambën e karbitit, të cilën e kishin siguruar në xehroren e kromit në Zatriq të Rahovecit. Litarin e mbanin dajë Kadri Imer Berisha dhe i unxhi Sadri Krasniqi. Bashkë me të në shpellë u lëshua edhe  Cenë Gashi nga Përçeva. Në thellësinë prej 40 metrash llamba u fik dy herë. Aty, në atë zonë bënte shumë ftohtë. E shkundin litarin për t’i tërhequr lart. Pasi vishen më trash lëshohen përsëri. Në gjysmë të shpellës ndalet Cenë Gashi për ta drejtuar litarin, se hyrja e shpellës ishte zigzage. Me të u ndal edhe Rexhep Krasniqi.

Abdyl Krasniqi sakaq u gjend në fundin e shpellës së errët enigmatike. Zuri të hjek gurë e dhe, që për 47 vjet kishin rënduar mbi skeletin e legjendës, në këtë thellësi prej 73 metrash. Pas nëntë orë pune të pandërprerë, me shat e lopatë, me kujdesin më të madh u grumbulluan eshtrat e trimit të pavdekshëm, Azem Bejtë Galicës. Pasi i vendosi në një çarçaf të bardhë (me kohë e kishte menduar këtë gjë), i vuri në gjoks, dhe e lëkundi litarin për ta tërhequr lart. Sakaq shpella zu të buçiste fuqishëm nga zëri i Abdyl Krasniqit:“O pritne Azem Galicën, se edhe nga  toka po fluturon“.

Dhe, kryetrimi doli në dritë, mori frymë lirshëm. Akt rrëqethës ky, i cili u la me lot mallëngjimi si nga bashkëkohanikët e tij ashtu edhe nga të tjerët që ishin të pranishëm...

 

Akt frymëzues

 

Zemra e atdhetarit, qysh kur preku me dorë eshtrat e kryetrimit, u entuziazmua dhe klithi:

 

                       Ngritu burrë Azem Galica

                       lart të pret e gjithë Drenica!

 

Dhe, atje në thellësi, në errësirë, zhvillohet një dialog i imagjinuar mes tyre:

 

                       -Ku është Kosova?

                       A është Drenica?

                       Kanë ende Plisa?

                       apo kanë vu t’zezat kapica?

                       

 

                      Ku janë shokët?

                      A është Qyqavica?

                      A e kam, vallë kullën?

                      Si qëndron GALICA?!

 

Shpirti poetik i atdhetarit i përgjigjet:

 

               

                   E tani, TI, Azem Bejta, jeton shumë lart:

                   Simbol të kemi për Atdhe:

                   dritë shpërndan, si yll i zjarrtë

                   si i famshmi S k ë n d e r b e.

 

Shkrimi i plotë:

https://pashtriku.beepworld.de/files/libra/Libri_bedriut/bedri_tahiri_abdyl_krasniqi_frymezues_brezash_8.9.08.htm

 

Video:

https://www.facebook.com/aktualelivee/videos/442636290284440/