INSTAT: Recesioni në 2020-3.31%
Ekonomia shqiptare ka pësuar një recesion në nivelin 3.31% gjatë vitit 2020, vit i cili ndjeu pasojat e tërmetit dhe pandemisë së Covid-19.
Pavarësisht treguesit në rënie, krahasuar me pritshmëritë e qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, tkurrja e ekonomisë rezulton në nivele më të ulëta.
Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e fundit të vitit 2020, ekonomia u rrit me normë pozitive prej 2.99%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Motori kryesor i kësaj rritje është aktiviteti i ndërtimit, i cili u godit rëndë një vit më parë për shkak të tërmetit. Në fund të 2020-s, ndërtimi pati një rritje me 18.5%.
Edhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit, shërbimet shkencore dhe të konsulencës, informacioni, industria nxjerrëse, energjia dhe shëndetësia rezultojnë me rritje, madje rritje vjetore 2.7% ka shënuar dhe grupi i argëtimit dhe arteve, edhe pse në këtë periudhë ka patur masa kufizuese të orarit të lëvizjeve.
Të vetmit sektorë me rënie janë bujqësia dhe tregtia e akomodimi, por pavarësisht këtyre treguesve, konsumi i popullatës rezulton me rritje 1.6%. Kapitali bruto fiks që tregon ecurinë e investimeve private është rritur me 10.8% ndërsa eksportet janë ulur me 12.7%.
/Tv Klan























