KOSTT nënshkruan kontratë për ndërtim të nënstacionit të ri
BKT
Ekonomi

KOSTT nënshkruan kontratë për ndërtim të nënstacionit të ri

KOSTT nënshkruan kontratë për ndërtim të nënstacionit të ri në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike në Komunën e Ferizajt.

Me 31 mars 2021, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani nënshkroi kontratën me përfaqësuesen e kompanisë ABB Power Grids Zagreb, znj. Nina Dusper Sushiç për implementimin e projektit për ndërtim të Nënstacionit të ri 110/35/10(20) kV Ferizaj 3. 

Ky investim kapital i KOSTT në vlerë prej mbi € 4.7 milion përveç ndërtimit të nënstacionit të ri në Komunën e Ferizajt parasheh edhe instalimin e transformatorit energjetik me fuqi prej 40 MVA (mega volt amper) në këtë nënstacion.

Implementimi i projektit do të ketë ndikim të theksuar në rritjen e sigurisë dhe të kualitetit të furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmetimit për rajonin e Komunës së Ferizajt duke mundësuar kushte për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik të komunës me rrethinë.

Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani theksoi “Zhvillimi i vazhdueshëm i Sistemit të Transmetimit të Kosovës është prioritet i KOSTT dhe ne jemi të përkushtuar që përmes planifikimit zhvillimor afatgjatë dhe investimeve adekuate të ofrojmë shërbime cilësore për shfrytëzuesit e sistemit duke kontribuar kështu në zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik dhe social në vend.”

Nga momenti i fillimit të punimeve, implementimi i projektit parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh.


MË SHUME NGA Ekonomi