OAK: 60 mijë vende pune u humbën gjatë pandemisë
Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga qeveria mbështetje financiare për personat e pushuar nga puna.
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka publikuar hulumtim që ka realizuar në terren për ndikimin e pandemisë në sektorin privat.
Në këtë hulumtim thuhet se nga dëmet e shkaktuara nga Covid19, gjendja e bizniseve është e vështirë dhe rezulton se bizniset kanë pësuar humbje gjatë gjithë kësaj kohe.
Në konferencën për me temën: “Ndikimi i pandemisë në ekonomi dhe pasojat e krizës të shkaktuar nga Covid-19”, Fjolla Smaili, zëdhënëse e OAK tha se sektorët më të prekur në pandemi janë gastronomia dhe sektori prodhimit, derisa farmacitë dhe marketet kanë pasur fitim në pandemi.
“27 përqind e të anketuarve në biznise deklarojnë se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht keq, ndërsa 40 përqind kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar keq. 59 përqind e bizniseve janë deklaruar se kanë mbyllur bizniset për 3 muaj. 8 përqind janë deklaruar se bizniset nuk janë mbyllur asnjë një herë në pandemi[...]Sektori më i prekur në këtë kohë ishte gastronomia me 66 përqind, ndërsa rritje të qarkullimit patën sektorët siç janë barnatoret dhe marketet ushqimore”, theksoi Smaili.
Ajo po ashtu tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie të punësimit.
“Rreth 60 mijë vende të punës janë humbur në pandemi”, tha ajo.
OAK ka rekomanduar Qeverinë që punonjësit, të cilët janë pushuar nga puna të mbështeten financiarisht.























