Rukiqi kundër masave: Duhet plan financiar për bizniset dhe gastronomët
BKT
Ekonomi

Rukiqi kundër masave: Duhet plan financiar për bizniset dhe gastronomët

Kryetari i OEK thotë se politika nuk ka të drejtë të legjitimojë masa pasi që numrin më të madh të rasteve e kanë krijuar vetë politikanët me fushatat zgjedhore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se janë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, për pezullimin e punës për një periudhë 12 ditëshe  për gastronominë. 

Rukiqi pas takimit që kanë mbajtur Shoqata e Gastronomëve, ka thënë se mbyllja e gastronomisë dhe tregjeve me pakicë dhe shumicë do të shkaktojë dëme të mëdha.

“Kemi shprehur mospajtimin tonë si Odë Ekonomike për mbylljen e Gastronomisë dhe e tregtisë me pakicë apo qendrave tregtare, pasi  dëmet do të jenë shumë të mëdha në sektorin e ekonomisë. 

Politika nuk ka të drejtë të legjitimojë masa pasi që numrin më të madh të rasteve e kanë krijuar vetë politikanët me fushatat zgjedhore”, tha Rukiqi.

Ai ka thënë se nëse pas 12 ditëve s’ka vendim të qartë për financimin e bizniseve, atëherë ky vendim s’do të respektohet. 

“Në të njëjtën kohë se në rast se brenda këtyre ditëve nuk ka vendim të qartë në përkrahje financiare të bizniseve dhe nëse nuk ka një strategji dalëse se çka pas 12 ditësh në raport me menaxhimin e pandemisë dhe me punën e sektorëve që dëmtohen më së shumti, atëherë sigurisht që bizniset do të organizohen dhe do të kundërshtojnë çdo vendim tjetër kufizues”, tha kryetari i OEK.


MË SHUME NGA Ekonomi