Franca dhe BE-ja arrijnë marrëveshje rifinancimi për Air France-KLM
Franca dhe Komisioni Evropian kanë rënë dakord mbi kornizën e pakos së rifinancimit të mbështetur nga shteti për degën franceze të kompanisë ajrore francezo-holandeze Air France-KLM, njoftoi ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
Le Maire në një program televiziv tha se negociatat me komisionin kanë përfunduar, por shuma e parave nuk është sqaruar ende.
“Ky është një lajm shumë i mirë për Air France, është një lajm shumë i mirë për gjithë sektorin e aviacionit francez”, tha ai.
Duke thënë se ky lajm i mirë duhet të inkurajojë kompaninë që të jetë më konkurruese, ai tha se Air France do të duhet të heqë dorë nga disa vende të uljes dhe ngritjes në aeroportin Orly.
Le Maire tha se shteti ka dhënë 7 miliardë euro (8,23 miliardë dollarë) ndihmë për kompaninë deri më tani dhe se ata presin që Air France të ulë emetimet e saj të dioksidit të karbonit dhe të bëhet lider botëror në këtë drejtim.
Partneriteti Air France-KLM humbi 7,1 miliardë euro (8,35 miliardë dollarë) në vitin 2020 për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19). Qarkullimi i ndërmarrjes u ul me 59 për qind vitin e fundit krahasuar me vitin e kaluar, kurse borxhi i saj u dyfishua në 11 miliardë dollarë.























