Nisin punimet për asfaltimin e autostradës Tiranë-Durrës

Nisin punimet për asfaltimin e autostradës Tiranë-Durrës

Kanë nisur punimet në autostradën Tiranë–Durrës. Në disa vende të saj amortizimi i shtresave asfaltike ka krijuar vështirësi për automjetet që qarkullojnë në këtë rrugë, duke qenë se është segmenti që mban dhe fluksin më të madh të trafikut në Shqipëri.

Autostrada do të rehabilitohet nga pjesa e Qafë Kasharit deri te Ura e Dajlanit, ndërsa punimet parashikohet të zgjatin dy javë, nga data 8 deri më 22 Prill.

Në ditën e parë punimet kanë nisur në afërsi të Vorës, deri në Maminas. Në hyrje të Vorës trafiku është devijuar nga rruga e vjetër.

Më pas do të hidhet asfalt në segmentin nga Qafë-Kashari deri në Vorë dhe devijimi i makinave do të bëhet në drejtim të Rinasit. Në ditët e tjera trafiku do të devijohet në Maminas, Sukth dhe më pas në Sukth–Shkozet.

Në total do të riparohen 25 km të shtresës asflatike. Punimet në javën e dytë do të përqendrohen në drejtimin nga Durrësi deri në afërsi të Tiranës.

Rehabilitimi i autostradës Tiranë–Durrës është pjesë e projektit të mirëmbajtjes së rrugëve të financuar nga qeveria dhe Banka Botërore.

Tv Klan