Mehmeti: Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.0 përqind nga 6.4 përqind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar.
"Struktura e sistemit financiar përbëhet nga gjithsej 121 institucione financiare, të cilat janë licencuar dhe regjistruar, si dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë bazuar në legjislacionin e aplikuar në Republikën e Kosovës dhe në kuadrin rregullativ në fuqi të BQK-së. Vlerësimet e deritanishme kanë treguar për një rënie ekonomike prej 7.2% për vitin 2020, mirëpo këto vlerësime janë në rishikim e sipër duke pasur parasysh edhe fluksin mjaft të madh të vizitave nga diaspora jonë gjatë festave të fundvitit, gjë e cila mund të ketë përmirësuar gjendjen deri në një masë kundrejt parashikimeve fillestare. Për sa i përket vitit 2021, fatkeqësisht problemet me pandeminë po vazhdojnë të jenë të pranishme, mirëpo ekonomia është në përgjithësi e hapur, prandaj nëse vazhdohet me këtë ritëm mund të themi se pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë sesa viti paraprak. Për më tepër, lehtësimi i qasjes në financa për sektorin privat përmes skemës së garantimit të kredive po ashtu pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e aktivitetit ekonomik. Sidoqoftë, performanca e ekonomisë edhe gjatë këtij viti do të jetë e lidhur ngusht me zhvillimet rreth pandemisë, prandaj sa më shpejtë që të tejkalojmë problemet me pandeminë aq më shpejtë ekonomia do t’i kthehet normalitetit dhe rritjes" tha ai.























