Murati takon Szunyog, biseduan për Rehabilitimin e Termocentralit Kosova B
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është Rehabilitimi i Termocentralit Kosova B.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog mbajtën një takim njoftues ku u diskutua për agjendën zhvillimore të Qeverisë, me theks të veçantë në ristrukturimin e skemave sociale, luftimin e informalitetit dhe krijimin e Fondit Sovran.
Ministri Murati po ashtu e njoftoi Ambasadorin e Bashkimit Europian për masat që do të ndërmerren për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, dhe për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat në këtë drejtim nga Qeveria me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës dhe shëndetit ekonomik të vendit.
Gjatë takimit u theksua edhe plotësimi i kushteve për disbursim të Mbështetjes Makro-Financiare dhe Mbështetjes Sektoriale Buxhetore të ofruar nga BE-ja për Kosovën. Të dy përfaqësuesit e institucioneve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është Rehabilitimi i Termocentralit Kosova B.
Kurse ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog e njoftoi Ministrin Murati për projektet e ndryshme të financuara nga BE dhe statusin e tyre, vlerësoi faktin se Qeveria ka objektiva zhvillimore të ngjashme me ato të Bashkimit Europian dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët.























