Rama apel emigrantëve të investojnë në agroturizëm
BKT
Ekonomi

Rama apel emigrantëve të investojnë në agroturizëm

 Kryeministri Edi Rama u bëri sot apel emigrantëve të vijnë të investojnë për agroturizëm në vendlindje, ndërsa i siguroi se “për nxitjen e kësaj nisme qeveria do të japë 5 mijë euro për çdo emigrant, si dhe do të bëjë amnisti fiskale direkte për paratë e tyre, mjaft që të mos jenë para krimi”.

Në një takim me të rinjtë e Burrelit, Rama tha se “tani e vetmja gjë e rëndësishme është siguria e jetës dhe në këtë moment nuk mendon për gjërat e tjera”.

“Por kur sheh se jeta jote është jashtë rrezikut gjëja e parë që mendon është: Po pastaj çfarë ka mbrapa? Si do dalim nga ky tynel? Si do jetë ekonomia jonë, e familjes time, e  komunitetit? Çfarë arsyesh më shumë do të kem unë të rri në Mat dhe të mos detyrohem të iki përgjithmonë duke i kthyer kurrizin vendlindjes time? Si do bëjmë që dielli i Shqipërisë të ngrohë çdo familje shqiptare?”, tha Rama.

Dhe sipas Kryeministrit, “përgjigja nuk është e vështirë”. “Nga njëra anë ne i kemi të gjitha ato që na duhen. Ajo parajsë që sot është spektakël kur kalon Rrugën e Arbrit është aty gati për njerëzit që duan t’i arrijnë gjërat me punë, që besojnë te puna dhe suksesi i punës dhe nuk presin nga qielli t’u vijnë lekë, lekë, lekë, siç premtojnë ata që kanë marrë rrugët e Shqipërisë”, shtoi ai.

Rama tha se ka shumë të rinj që kanë emigruar nga kjo zonë, por kanë shtëpitë e prindërve dhe gjyshërve këtu.

“Çfarë i mungon kësaj zone për të pasur gjithmonë e më shumë turistë e vizitorë. Nuk është më një zonë kaq e largët, por një periferi e Tiranës. 40 minuta është koha normale për të shkuar nga qendra e një qyteti europian në periferi”, tha Rama.

Rama tha se “ne do tu japim 5 mijë euro çdo emigranti dhe që do të hapë shtëpinë e vjetër të gjyshit, babës për ta kthyer në një bujtinë, për të ndërtuar agroturizëm me produktet e  zonës dhe për të fituar çdo muaj, më shumë se sa fitojnë me punën për dikë tjetër në emigracion”.

“Do t’ju bëjmë një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre për t’i sjellë këtu pa ju kërkuar llogari, mjafton të mos jenë para të krimit dhe këto para të vijnë këtu se janë para djerse, gjaku. Të vijnë këtu dhe të çelin këto lule të kësaj ekonomie në agroturizëm. E bën një pjesë e madhe e gjithë Italisë rurale. Italia është parajsë e pakonkurueshme nga askush. Ka një bregdet fantastik, zona fantastike në verë, por Italia rurale është e tëra e mbushur me iniciativat e njerëzve të zakonshëm që i kanë kthyer shtëpitë dhe natyrën në burim të ardhurash të vazhdueshme”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “është e mundur dhe ne do ta bëjmë që të shkojmë drejt asaj ëndrre që unë e kam parë me sy hapur ditën që kam vendosur të mos vazhdoj më të jem një emigrant në Paris”.

“Edhe pse, për hir të së vërtetës nuk ka qenë një jetë e vështirë, por kam vendosur të qëndroj këtu me bindjen e thellë se çfarë unë kam parë me sy hapur si një majë, është një majë e arritshme. Çfarë ka Kroacia më shumë se ne. Vendi me 4 milionë banorë, me 9 aeroporte dhe vendi i 7-të ibotës në turizëm. Pse ne të mos jemi kampion të Ballkanit në turizëm dhe agroturizëm dhe çdo familej shqiptare të mos ketë më shumë të ardhura se sa ka duke shkuar në emigracion për të punuar për të tjerë. Shkojnë edhe duke paguar shuma marramendëse që i marrin borxh dhe pastaj bien pre e rrjeteve më të ndyra kriminale”, tha Rama./ATSH


MË SHUME NGA Ekonomi