Përfundon rikonstruksioni i rrugës Marinzë-Roskovec

Përfundon rikonstruksioni i rrugës Marinzë-Roskovec

Kanë përfunduar punimet në rrugën që lidh fshatin e Marinzës me Roskovecin, një aks i rëndësishëm për të gjithë banorët e kësaj zone.

Punimet për rikonstruksionin e rrugës me gjatësi 2.6 kilometra nisën rreth 6 muaj më parë, falë një investimi prej 350 mijë dollarësh të realizuar nga kompania naftë-nxjerrëse Bankers Petroleum Albania dhe Bashkia Roskovec. Rruga ishte një kërkese e vazhdueshme e komunitetit të kësaj zone.

“Kjo rrugë në fshatin Marinzë u shërben 2200 banorëve dhe është një domosdoshmëri dhe për këtë falenderojmë Bashkinë dhe Bankers që bëri të mundur shtrimin e kësaj rruge dhe ndriçimin, trotuaret dhe korsinë për biçikleta”.

Ndërkohë për banorët e fshatit thonë se rruga ka lehtësuar ndjeshëm jo vetëm lëvizjen për shërbimet e përditshme, por edhe për aktivitetin e tyre bujqësor.

“Rruga është shumë e mirë, s’ka qenë ndonjëherë kështu. Këtu nuk kaloje dot me mjete, por as në këmbë”. Një tjetër banor thotë: “Më parë rruga ka qenë e shkatërruar, tani është me trotuar për këmbësoret, vendkalim për biçikleta. Ishte domosdoshmëri se edhe nxënësit shkojnë në shkollë, prandaj duhesh bërë patjetër”.

Kompania Bankers e cila ushtron aktivitetin e saj në zonën e Patos-Marinzës ka qenë gjithnjë e angazhuar për të investuar në projekte të rëndësishme për komunitetin ku operon. Bankers operon prej mëse 16 vitesh në vend.

Tv Klan