Qeveria ende nuk ka filluar shpërndarjen e mjeteve për biznese

Qeveria ende nuk ka filluar shpërndarjen e mjeteve për biznese

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ende nuk filluar shpërndarjen e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike për bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili në Kuvendin e Kosovës është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka ndarë 222 milionë euro për sektorin privat, shëndetësor, skema sociale, arsim dhe kulturë.

Kuvendi i Kosovës, ndërkaq ka zgjedh qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, më 22 mars 2021.

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) thonë se “kostoja e zbatimit të këtij ligji nuk është vlerësuar nga propozuesi sipas procedurave në fuqi dhe si rrjedhojë edhe është zbatuar vetëm pjesërisht për shkak të kostos së lartë buxhetore të pambuluar me buxhetin e shtetit”.

“Ligji për rimëkëmbje ekonomike është duke u shqyrtuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve duke marrë parasysh edhe rrethanat e reja. Plani për rimëkëmbje ekonomike nga Qeveria Kurti do të publikohet kur të kalohet gjendja emergjente”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë.

Por, kur pritet të fillojë shpërndarja e mjeteve të përfshira në ligj, për sektorë të ndryshëm, zyrtarë të kësaj ministrie, deri në momentin e publikimit e këtij teksti, nuk kanë dhënë ndonjë informacion.