Sogojeva: Rrezikohen 13 mijë biznise të mbyllen
BKT
Ekonomi

Sogojeva: Rrezikohen 13 mijë biznise të mbyllen

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) kërkon 1 miliard euro që të shpëtohet ky sektor.

Pa pasur mbështetje nga shteti me mbi 1 miliard euro për sektorin e hotelierisë dhe turizmit, rrezikohen të mbyllen mijëra biznise të këtij sektori, për shkak të humbjeve të mëdha si pasojë e pandemisë Covid-19.

Kështu deklarohet Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) gjatë takimit me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Ai përmendi se si pasojë e pandemisë rrezikohen 13 mijë biznise të këtij sektori.

Sogojeva po ashtu tha se mundësia e vetme është hapja e këtij sektori dhe marrja e masave të shtetit ndaj atyre bizniseve, të cilat nuk respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

“Jam kategorik që të hapet ky sektor dhe të merren masa ndaj atyre që nuk i respektojnë. Megjithatë, është e nevojshme se për t’i shpëtuar bizniset e sektorit të hotelierisë dhe turizmit nga mbyllja duhet intervenim nga shteti me mbi 1 miliardë euro, pasi dëmet janë të mëdha që janë shkaktuar tash e mbi nji vit nga mbyllja”, tha ai.

Për këtë mbyllje, Sogojeva nuk ka përjashtuar mundësinë që të organizojnë edhe protesta nëse vazhdon ende kjo situatë. 

Gjithashtu, Sogojeva ka kërkuar në këtë takim të themelohet Agjencia Kombëtare e Turizmit, që sipas tij do ta ndihmonte këtë sektor për zhvillim.

Ai tha se vetëm 10 mijë euro është buxheti i ndarë për turizëm nga shteti.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala dhe anëtari i këtij i Komisionit ngritën shqetësimin e tyre se nëse nuk vaksinohet popullata deri në verë dhe nuk hapet sektori i turizmit dhe gastronomisë do të shtyjë diasporën që mos të vijë sivjet në Kosovë.


MË SHUME NGA Ekonomi