Bie papunësia në Kosovë për 21% që nga viti 2008
Shkallën më të ulët të papunësisë Kosova e përjetoi në vitin 2020 kur 24,6 përqind e popullësisë u regjistruan si të papunë.
Papunësia në Kosovë është një nga sfidat kryesore edhe pas 13 vjet pavarësi. Mirëpo, Kosova ka shënuar progres të madh në uljen e shkallës së papunësisë për këtë periudhë kohore.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2008 kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, shkalla e papunësisë ka qenë 45 përqind, ndërsa kjo shifër ka rënë deri sot.
Në vitin 2012 në Kosovë, shkalla e papunësisë kishte rënë në 30,9 përqind, ndërsa në vitin 2013 ne 30 përqind.
Rritje të shkallës së papunësisë Kosova ka përjetuar në vitin 2014 kur ajo shkoi në 35,3 përqind për të vazhduar rënien në vitin 2015 në 32,9 përqind e pastaj në vitin 2016 në 27,5 përqind.
Në vitin 2017, shkalla e papunësisë sërish u rrit në 30,5 përqind, për të rënë sërish edhe më shumë në 29,6 përqind në vitin 2018 dhe në 25,7 përqind në vitin 2019.
Shkallën më të ulët të papunësisë Kosova e përjetoi në vitin 2020 kur 24,6 përqind e popullësisë u regjistruan si të papunë, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë raporti në vitin 2021 si vit i krizës shëndetësore me pandeminë COVID-19, e cila reflektoi edhe në krizë ekonomike që u përkthye në humbje të vendeve të punës.
Raportohet se nga fillimi i pandemisë në Kosovë e kanë humbur vendin e punës rreth 60 mijë qytetarë, ndërsa trendi negativ po vazhdon ende, shkruan GazetaMetro.
Sot, me moton “Punëtore e punëtorë kundër shtypjes”, kanë marshuar dhjetëra qytetarë në Sheshin “Zahir Pajaziti”, për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj trajtimit të punëtorëve në Kosovë.
Nënkryetari i Sindikatës së Koorporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, para protestuesve tha se Kosova është një nga shtetet më të varfëra në rajon si dhe punëtorët e sektorit privat janë më të shtypurit.
“Dihet që Kosova është ndër shtete më të shkelura, ndërsa pjesëmarrja në protesta e vogël. Punëtorët janë të shtypur tej mase prandaj nuk protestojnë. Mos të largohen nga puna padrejtësisht”, u tha tutje.
“Kërkesë tjetër e jona është njohja e viteve të punës në vitet 1990. Të gjitha ata që kanë punuar në ato vjet të ju njihet kjo e drejtë e punës. Dhe lus qeverinë e re që së shpejti të fillojë me këtë procedurë. Kemi kontratën kolektive, e cila nuk është aprovuar qysh në vitin 2018, kërkojmë që të rinovohet kjo kontratë. Zbatimi i ligjit të punës, besoj që punëdhënësit nuk e kanë lexuar ligjin e punës, pasi është duke u shkelur ky ligj”, tha Llumnica.























