Ministrat e Jashtëm të G-7 mblidhen për bisedime në Londër

Ministrat e Jashtëm të G-7 mblidhen për bisedime në Londër

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Londër për bisedime me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të G-7, me pandeminë e koronavirusit, Rusinë dhe Kinën midis pikave të mundshme të agjendës gjatë tre ditëve të punimeve të takimit.

Irani dhe Koreja e Veriut, programet bërthamore të të cilave kanë qenë në qendër të negociatave viteve të fundit, do të diskutohen në një darkë pune të hënën në mbrëmje.

Takimet e sekrtarit Blinken të hënën përfshijnë bisedime me ministrin e Jashtëm japonez Toshimitsu Motegi, ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut Chung Eui-yong, ministrin e Jashtëm të Bruneit II Dato Erywan Yusof, ministrin Indian të Punëve të Jashtme Subrahmanyam Jaishanka dhe sekretarin e Jashtëm Britanik Dominic Raab.

“Tetë vjet më parë Britania e Madhe, aleati ynë i domosdoshëm, priti për herë të fundit presidencën e G-7”, shkroi zoti Blinken në Twitter pasi mbërriti në Britani. “Është mirë të kthehesh mes partnerëve dhe aleatëve për këto diskutime”.

Ministria e Jashtme britanike tha se sekretari Raab dhe sekretari Blinken, do të këshillohen për Afganistanin, Iranin, Kinën dhe tregtinë, në takimin e tyre.

Bisedimet e ministrave të G-7 po hedhin themelet për një takim të nivelit të lartë të shefave të vendeve në qershor që do të mbahet gjithashtu në Britani.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se takimet e kësaj jave do të ishin një shans për të diskutuar “avancimin e rritjes ekonomike, të drejtat e njeriut, sigurinë ushqimore, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave”.

Përveç Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, G-7 përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë. Australia, India, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe Brunei gjithashtu po marrin pjesë në bisedimet e kësaj jave.

Pas takimeve të G-7, sekretari Blinken do të udhëtojë në Ukrainë për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një deklaratë se sekretari Blinken do të “ritheksojë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë”./VoA