Kosova në sytë investitorëve amerikanë

Kosova në sytë investitorëve amerikanë

Odat Amerikane bisedojnë me administratën amerikane për rikuperimin ekonomik dhe sfidat e tjera.

Agjenda digjitale e Administratës së Presidentit Joe Biden, rikuperimi ekonomik pas pandemisë COVID19 dhe siguria e zinxhirëve të tregtisë dhe furnizimit, ishin temat kryesore të diskutuara ndërmjet përfaqësuesve të lartë të institucioneve amerikane me Odat Amerikane të Evropës, pjesë e të cilave është edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Për tri ditë me radhë, drejtorët ekzekutivë të odave amerikane në Evropë kanë takuar përfaqësuesë të institucioneve të ndryshme amerikane, në mesin e të cilëve edhe Peter Harrell, Dejtor i Lartë për Ekonomi Ndërkombëtare në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Në takim me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit, ku ka folur edhe Ambasadori Philip Reeker, Ushtrues i Detyrës së Ndihmës Sekretarit, theksi është vënë mbi ekonominë transatlantike si dhe rrugën drejt rikuperimit ekonomik pas pandemisë COVID19, por edhe mbi të ardhmen e raporteve transatlantike. Në këtë takim kanë folur edhe Matt Murray, Zëvendësndihmës Sekretar për Tregti, Politika dhe Negociata, Roland de Marcellus, Zëvendësndihmës Sekretar për Financa dhe Zhvillim Ndërkombëtar nga Zyra për Çështjet Ekonomike dhe të Biznesit, si dhe Ambasadorja Marcia Bernicat, Zyrtare e Lartë për Rritje Ekonomike, Energji dhe Mjedis.

Për prioritetet e Administratës së Presidentit Biden që lidhen me fushën tregtare, rikuperimin ekonomik dhe të ardhmen e biznesit transatlantik, odat amerikane kanë biseduar edhe me Dale Tasharski, Ushtrues Detyre i Ndihmës Sekretarit për Tregjet Globale dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Komercial në Departamentit e Tregtisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në takimet e organizuara nga Këshilli Evropian i Odave Amerikane (ECAC) me administratën amerikane si dhe Odën Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është biseduar mes tjerash edhe për Planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ndryshimet Klimatike dhe Drejtësinë Mjedisore dhe rolin e odave amerikane të Evropës në rivitalizimin e marrëdhënieve transatlantike, avancimin e qëndrueshmërisë.

Këshilli Evropian i Odave Amerikane është organizatë ombrellë e 45 odave amerikane e themeluar në vitin 1963, përfshirë edhe Odën Amerikane në Kosovë, ndërsa në Evropë përfaqëson interesat e 17,000 kompanive amerikane dhe evropiane me mbi 17,000 punonjës dhe 1.1 trilionë dollarë investime në të dyja kontinentet.


MË SHUME NGA Ekonomi