Dogecoin: Shakaja më e shtrenjtë e botës
Monedha kripto ia kaloi më 2020 të gjithë monedhave të tjera digjitale duke arritur tani vlerën 70 miliardë dollarë. Bazuar në një meme, në një kopje, monedha tregon tani me ironi sa e ndjeshme është ndaj shakave.
U desh vetëm një shaka për ta ulur me 30 përqind vlerën e monedhës digjitale Dogecoin (doxh-koin), një prej monedhave më të përhapura kripto. Monedha kripto, e cila filloi si shaka në mediat sociale tetë vjet më parë, humbi më shumë se një të tretën e vlerës pasi Elon Musk, një nga njerëzit më të pasur të botës dhe mbështetësi më i fuqishëm i Dogecoin-it, e quajti monedhën dixhitale "bixhoz", gjatë një bisede në emisionin televiziv Saturday Night Live, fundjavën e kaluar.
Rënia e madhe ishte dështim për fryrjen shumëjavore të entuziastëve të Dogecoinit, në prag të shfaqjes së Muskut si i ftuar në emisionin televiziv popullor. Çmimi i Dogecoinit arriti nivelin rekord të ngjitjes para transmetimit të emisionit, tifozët organizuan festa për të ndjekur së bashku emisionin duke parashikuar rritje të madhe të monedhës kripto, pas shfaqjes së Muskut në emision.
"Musk mbase është i lumtur të bëjë një shaka për monedhën kopje, por investitorët janë duke ndier tani dhimbje të vërtetë,” tha Justin d'Anethan, shef i shitjeve të Diginex, një kompanie për këmbimin e pasurive digjitale, me qendër në Hong Kong.
"Rezervat e Dogecoin janë në thelb të palimituara, dhe të paqëndrueshme në afat të gjatë. Çështja është kush do shesë i pari dhe kush do mbetet në fund për të ngritur valixhet”.
Interesimi për monedhat kripto ka qenë vitet e fundit i madh dhe e ka rritur vlerën e të gjitha monedhave digjitale në më shumë se 2.3 trilion dollarë (1.9 trilion euro), mbështetur nga trilionë dollarët dhënë prej bankave dhe qeverive për të simuluar monedhat digjitale, dhe përkrahur nga shumë investitorëve institucionalë.
Ndërkohë që Bitcoin, monedha kripto e vlerësuar shumë më tepër se të tjerat, ka qenë në qendër të vëmendjes dhe është mbledhur në sasi rekord, kanë qenë të ashtuquajturat monedha të vjetra digjitale si Ethereum dhe Dogecoin ato që kanë marrë kryesinë kohët e fundit.
Çfarë fshihet pas pupullaritetit në rritje të Dogecoinit?
Nuk ka shpjegim të lehtë për të kuptuar çmimin në rritje të Dogecoinit, i cili u krijua si shaka e improvizuar gjatë furisë së monedhave kripto të vitit 2013, dhe mori si logo qenin e racës Shiba Inu. Mbytja me para në dorë falë planeve simuluese të qeverisë, spekullimet e shoqëruara nga frika e humbjes së shansit, mbështetja e dhënë nga Musk dhe nga disa tifozë të thjeshtë online nxitur nga dashuria e mediave sociale për Doge meme, janë disa nga arsyet që fshihen pas ngjitjes në qiell të Dogecoinit, që ka parë vitet e kaluara rritje monetare prej 20.000 përqind.
"Mania për Dogecoinin filloi me tregtarët me pakicë që erdhën nga platformat e mediave sociale. Komuniteti i shitjeve me pakicë u bind se Dogecoin do arrijë të shkojë deri tek 1 dollari dhe për shumë prej tyre, parimet nuk kishin rëndësi”, i tha Deutsche Welle-s Edward Moya, analist tregu tek Oanda. "Mbështetja e dhënë nga njerëz të famshëm si Elon Musk dhe Mark Cuban, ofroi justifikimin e duhur për shumë investitorë dhe ndezi tek ta pasionin e ri”.
Gjatë një mbështetjeje të madhe për rritjen eksplozive të Dogecoinit, firma komerciale e Muskut, Space X filloi të pranonte pagesa për një mision satelitor në Hënë me monedha kripto. Misioni i financuar nga Dogecoin, i planifikuar për 2022, quhet "DOGE-1 Mission to the Moon," misioni Doge-1 drejt Hënës./DW























