Amazon do të blejë kompaninë mediatike MGM
BKT
Ekonomi

Amazon do të blejë kompaninë mediatike MGM

Amazon njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare të bashkimit për të blerë kompaninë mediatike amerikane Metro-Goldwyn-Mayer (MGM) për 8,45 miliardë dollarë.

Firma amerikane e tregtisë elektronike dëshiron të përfitojë nga ekspertiza dhe katalogu i filmave të MGM-së me 4.000 filma dhe 17.000 shfaqje televizive, përfshirë James Bond-in, Fargo dhe Vikings, për të mbështetur sektorin e saj të filmit dhe televizionit, tha kompania në një deklaratë.

Ndërsa biznesi i transmetimit të videove është bërë më konkurrues gjatë pandemisë së koronavirusit për shkak të karantinave, Amazon po përpiqet të sfidojë Netflix-in dhe të konkurrojë me Disney-n, gjersa synon të fitojë më shumë abonentë përmes bibliotekave më të pasura dhe përmbajtjes së re.

"Vlera e vërtetë financiare pas kësaj marrëveshje është thesari i pronës intelektuale në katalogun e thellë që ne planifikojmë ta rimagjinojmë dhe ta zhvillojmë së bashku me ekipin e talentuar të MGM-së", tha në deklaratë Zëvendëspresidenti i Lartë i Prime Video dhe Amazon Studios, Mike Hopkins.

Kryetari i MGM-së, Kevin Ulrich tha: "Mundësia për të rreshtuar historinë e grumbulluar të MGM-së me Amazon-in është një kombinim frymëzues".

E themeluar në vitin 1924, MGM është një nga studiot më të vjetra të filmit në Hollywood, kryesisht e përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e filmave artistikë dhe programeve televizive.

Marrëveshja shënon blerjen e dytë më të madhe të Amazon-it në historinë e kompanisë pas blerjes së saj prej 13,7 miliardë dollarësh të zinxhirit të supermarketeve amerikane Whole Foods në vitin 2017.


MË SHUME NGA Ekonomi