Bullgarisë i duhen ndryshime rrënjësore për tërheqjen e investimeve
të mund të përfitojë nga fondet europiane për ndihmën e ekonomisë në krizë, Bullgaria duhet të paraqesë para Komisionit Europian një Plan për Rimëkëmbjen dhe Qëndrueshmërinë, të përpiluar në detaje.
Drafti i këtij dokumenti u paraqit në Parlamentin bullgar për diskutim disa ditë më parë dhe provokoi reagime të menjëhershme nga sindikatat dhe punëdhënësit, të cilët pretendojnë se dokumenti ka nevojë për ndryshime të mëdha.
Sipas ekonomistëve, përfshirë Latchezar Bogdanov nga Instituti për Ekonominë e Tregut, projekti ka shumë dobësi dhe nuk ka kohë të mjaftueshme për t’i korrigjuar ato. “Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë i mungojnë propozimet dhe angazhimi politik për reforma”, tha ekonomisti në një intervistë me BNR.
Sipas kryetarit të bordit të Shoqatës Bullgare të Punëdhënësve, Ivan Mihaylov, drafti i planit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe analizës nga qeveria dhe kjo nuk duhet të vonohet: “Ne e kemi parë këtë proces me shqetësim, pasi kur bëhet fjalë për dixhitalizimin dhe inovacionin që duhet të arrijë Bullgaria, ka një sërë projektesh përkushtuar këtij qëllimi”.
Sidoqoftë, sipërmarrësi thotë se fondet europiane duhet të jenë vetëm një nga burimet e parave të reja për ekonominë bullgare. Për më tepër, financat duhet të investohen siç duhet në kërkime dhe zhvillime, në mënyrë që të mbahen ekspertët e tanishëm dhe të trajnohen të rinj.
“Ne duhet të rivlerësojmë dhe të ndryshojmë plotësisht sistemin që përdorim për të tërhequr investime. Sistemi i tanishëm tregon se nuk po tërheqim investime të reja, ndërsa investimet aktuale po zhvillohen dobët. Ne mbështetemi në një mjedis konkurrues të taksave, por fqinjët tanë gjithashtu e kanë arritur këtë gjë. Në këtë vend, kemi ende specialistë mjaft të mirë, por rrezikojmë t’i humbasim sepse do t’i tërheqin vendet fqinje. Ne kemi ndjekur me shumë shqetësim idetë për ndryshimin e mjedisit tatimor.
Ky është një veprim i rrezikshëm që mund të na shtyjë në një drejtim të gabuar. Një tjetër qëllim i rëndësishëm është të mbajmë kompanitë që operojnë tashmë në Bullgari, pasi po kalojnë një periudhë të vështirë. Sidoqoftë, nevojitet një vullnet i madh sepse çdo vonesë dhe zhvendosje nga axhenda do të çonte në pasoja jashtëzakonisht negative”, paralajmëron Ivan Mihaylov.























