Pandemia uli lehtë numrin e bizneseve
Pandemia uli lehtë numrin e bizneseve aktive në Shqipëri, duke e reduktuar me 536 ndërmarrje më pak se në 2019-n. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, e kundërta ka ndodhur me numrin e fermerëve të formalizuar, të cilët u shtuan në 49 mijë nga 44 mijë e 500 që rezultonin përpara pandemisë.
Në total numri i bizneseve me NIPT të regjistruar në Shqipëri në fund të vitit të shkuar është 166.386 sipërmarrje, të dominuar kryesisht nga sektori i tregtisë, shërbimeve dhe bujqësisë.
Pavarësisht numrit më të madh të bizneseve të regjistruara në këto fusha, shifrën më të lartë të të punësuarve e ka industria, ndërtimi dhe akomodimi.
Gjatë epidemisë së Covid në 2020-n, numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj u ul në 3.6% të totalit të bizneseve nga 4% që zinin në 2019-n, ndërsa këto kompani vijojnë të mbajnë 12.4% të të punësuarve në vendin tonë.
Shumica e bizneseve aktive janë të përqendruar në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ndërsa ekonomia vijon të dominohet nga ndërmarrjet e vogla.
Kompanitë me më shumë se 50 punonjës zenë vetëm 1.2% të ndërmarrjeve në Shqipëri.
Tv Klan























