Mirëpritet ideja për themelimin e Bankës Zhvillimore

Mirëpritet ideja për themelimin e Bankës Zhvillimore

Ideja për themelimin e Bankës Zhvillimore në Kosovë po mirëpritet nga të gjithë. Hapja e kësaj banke është një prej premtimeve elektorale të kryeministrit aktual të vendit Albin Kurti. Njohës të fushës së ekonomisë konsiderojnë se Banka Zhvillimore do të ndihmojë sektorin privat, shtimin e prodhimit, si dhe do të ndikojë në në rritjen e eksporteve.

Qeveria aktuale e Kosovës në Plan Programin e saj për vitin 2021-2025 është zotuar se do ta themeloj Bankën Zhvillimore e cila do jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Sipas qeverisë ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar. Njohësi i fushës së ekonomisë Safet Gerxhaliu, tha se Kosova ka humbur shumë në mungese të një banke të tille. Ai tha se kjo bankë duhet themeluar sa më shpejtë në mënyrë që  të mbështetet sektori privat.

“Duhet punuar më tepër që Banka Zhvillimore, të jetë një arterie e mbështetjes së sektorit privat, një arterie që do ta mbështes prodhimin do ta mbështes eksportin,  importin e pajisjeve teknologjike moderne dhe qendrat apo start up biznesore”, tha Gerxhaliu.

Gerxhaliu, konsideron se Banka për Zhvillim do të ndikojë në uljen e kamatave, në uljen e burokracisë në aplikim për kredi dhe defitinivisht do të ketë kredi që  do të kenë grejs periudhe me afat më të gjatë.

Ndërkaq nga Qeveria e Kosovë, zëdhënësja Rozafa Kelmendi, i tha Radio Kosovës në një përgjigje me shkrim se “Për të gjitha politika e reja, përfshirë këtu gjithçka rreth Bankës Zhvillimore, zbatimit do t’i paraprijë përgatitja për dizajnimin dhe operacionalizmin e politikes specifike, dhe kjo do të bëhet në tandem edhe me krijimin e hapësirës fiskale për mbulimin e kostos. Për të gjithë këta hapa Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftoj publikun me kohë”, tha Kelmendi.

E kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, tha se  Ekonomia e Kosovës ka nevojë për një numër masash të cilat do të gjeneronin vende të reja të punës. Për të dalë nga kjo situatë ai tha se duhet të punohet në drejtim të rritjes së bruto produktit vendor.

 “Në njërën anë kërkohen reforma fiskale mendoj, sepse ka shumë hapësirë për të përmirësuar politikat fiskale, ndërsa në anën tjetër do të duhet të ofroheshin mundësitë të reja publiko private të cilat do të stimulojnë rritjen ekonomike. Banka Zhvillimore e cila është cekur në programin e qeverisë mund të jetë një mekanizëm i rëndësishëm në këtë drejtim, por krejt varet nga ajo se si do të konceptohet dhe themelohet dhe cilat do të jenë parimet dhe standardet mbi të cilat d të ndërmerrej nja iniciativë e tillë, tha Balija.

Balija tha se për këtë iniciativë duhet konsultuar edhe palët e sektorit bankar  në mënyrë që  të jetë produktive për ekonominë e vendit.

 

 

Autor: Arbenita Marmullaku