Rriten eksportet e Kosovës në drejtim të Gjermanisë për 62 për qind

Rriten eksportet e Kosovës në drejtim të Gjermanisë për 62 për qind

Kosova për periudhën janar-prill 2021 ka eksportuar mallra në Gjermani në vlerë prej 14 milionë e 981 mijë e 291 euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku ka eksportuar 9 milionë e 269 mijë e 537 euro, pra një rritje prej 62 për qind.

Kështu njofton Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, duke shtuar se këto eksporte kryesisht ishin nga materialet e ndërtimit, artikuj prej plastikës e metalit dhe mobile prej druri.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të OEGJK-së, Nora Hasani kjo odë ka dhënë një kontribut në uljen e deficitit të lartë në bilancin tregtar të Kosovës me Gjermaninë.

“Kosova ka potencial të madh për ta shumëfishuar eksportin e saj në Gjermani. Këtë më së miri e ilustrojnë statistikat e fundit të Doganës së Kosovës, sipas së cilit gjatë 4 muajve të parë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, vërehet një rritje mbresëlënëse prej 62 për qind të eksportit për në Gjermani”, thekson Hasani duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës.

Ajo tregon se edhe gjatë vitit të kaluar, në kohën e pandemisë COVID-19 pati rritje të eksportit mbi 40 për qind për në Gjermani.

“OEGJK përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështetë në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman”, shpjegon Hasani. /Telegrafi/