Ministrja Rizvanolli përfaqësoi Kosovën në Forumin Ekonomik DELPHI në Shkup

Ministrja Rizvanolli përfaqësoi Kosovën në Forumin Ekonomik DELPHI në Shkup

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka përfaqësuar Kosovën në forumin ekonomik në Shkup, i cili i ka mbledhur udhëheqësit rajonal me më së shumti influencë për të adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni.

Gjatë forumit, i cili u mbajt më 23 qershor, janë identifikuar dhe adresuar sfidat kryesore për zhvillim, janë ndarë eksperiencat
politike të vendeve të rajonit, dhe janë identifikuar veprimet e politikave për një ekonomi më
afaruese dhe gjithëpërfshirëse.


Ministrja Rizvanolli ka mbajtur fjalimin përmbyllës në këtë konferencë, e cila është shprehur me
shpresën që tani më kemi filluar periudhën post-pandemike, pas sfidës më të madhe botërore
që nga Lufta e Dytë Botërore, sfidat si viruset dhe emisionet e CO2 dhe ngrohja globale, nuk
njohin kufij dhe na ndikojnë të gjithë, prandaj Rizvanolli theksoi se është e domosdoshme që
veprimet dhe zgjidhjet të jenë të përbashkëta dhe mund të arrihen vetëm përmes koordinimit
dhe bashkëpunimit ndërkufitar.


Tutje, Ministrja Rizvanolli ka shtuar që bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik në rajon është i
domosdoshëm dhe duhet të përfshijë angazhimin e përbashkët të shteteve të Ballkanit
Perëndimor, si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, angazhimin e mekanizmave të besueshëm të mbikëqyrjes dhe zgjidhjeve për të garantuar implementimin e marrëveshjeve, si
dhe përshpejtimin e procesit të integrimit drejt anëtarësimit në BE.

Ministrja ka bërë thirrje që përtej bashkëpunimit ekonomik, udhëheqësit rajonal duhet të
punojnë bashkërisht në sfidat, si emigrimi i individëve të aftë me krijim e mundësive të reja të
punësimit, promovimin e lëvizshmërisë së punës, duke njohur kualifikimet e njëri-tjetrit dhe
heqjen e lejeve të punës, si dhe bashkëpunim drejt demokratizimit, mbrojtjes së sigurisë
juridike, sundimit të ligjit, rritjes së përgjegjësisë së qeverive dhe lirisë së mediave.
Gjatë vizitës në Shkup, përpos pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik, Ministrja Rizvanolli ka
mbajtur takime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë Veriore, Bujar
Osmani, ku janë diskutuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike.

Më pas, Ministrja Rizvanolli është takuar me Ministrin e Ekonomisë së Republikës së
Maqedonisë Veriore, Kreshnik Bekteshi, ku kanë diskutuar lidhur me zgjidhjen e sfidave të
përbashkëta dhe prioriteteve në sektorin e energjisë.