Qeveria rrit me 10 miliardë lekë shpenzimet buxhetore
BKT
Ekonomi

Qeveria rrit me 10 miliardë lekë shpenzimet buxhetore

Këshilli i Ministrave rishikoi sërish buxhetin e shtetit për vitin 2021.

Sipas Aktit Normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare shpenzimet e buxhetit të shtetit rriten me 10 miliardë lekë, duke shkuar nga 459 miliardë lekë në 469 miliardë lekë.

Akti Normativ parashikon rritjen me 2 miliardë lekë të Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e fushatës së vaksinimit antikovid, në masën 1 miliard lekë.

Ndërsa do të financohet edhe projekti prioritar i Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë në vlerë 1 miliard lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.

Përmes rishikimit është siguruar edhe fondi prej 900 milionë lekësh, si transfertë specifike për bashkinë Tiranë, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Transporti rrugor po ashtu do të financohet me 4.8 miliardë lekë shtesë, ku përfshihen hapja e loteve të reja për ndërtimin e segmentit rrugor “Unaza Veriore Tiranë”, ndërtimi i segmentit rrugor “Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale të Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet mbi planin buxhetor të miratuar për vitin buxhetor 2021.

Sipas Aktit Normativ 1 miliard lekë shtesë do të shkojnë për vijimin e punimeve për bajpasin e Vlorës.

Ndërkohë edhe bujqësia do të ketë një mbështetje në programin IPARD II prej 1 miliard lekësh.

Ndryshimet e propozuara përmes këtij akti normativ nuk prekin treguesit e të ardhurave buxhetore të cilët nuk kanë pësuar ndryshime. Kjo, nisur nga ecuria pozitive e të ardhurave buxhetore për 6-mujorin e parë 2021 dhe pritshmëria gjithashtu pozitive e realizimit të tyre në nivel vjetor.

Rritja e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në masën 11.8 miliardë lekë, rrit në të njëjtën masë edhe deficitin buxhetor të planifikuar për vitin 2021./atsh


MË SHUME NGA Ekonomi