Mustafa: Çështjet e pronave nuk diskutohen në nivel shtetëror
BKT
Ekonomi

Mustafa: Çështjet e pronave nuk diskutohen në nivel shtetëror

Muhamet Mustafa, nga Instituti “Riinvest”, i cili ka qenë edhe koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë, para se Kosova ta shpallte pavarësinë në vitin 2008, thotë se pasuria e ndërmarrjeve shoqërore në vendet e ish-Jugosllavisë, është çështje që nuk diskutohet në nivel shtetëror, pasi për të dhe çështje të ngjashme, duhet t’i zgjidhin vetë subjektet ekonomike, qoftë ato subjekte private apo publike.

Në Kosovë, shton Mustafa, në emër të ndërmarrjeve shoqërore, këto çështje pronësore, duhet të udhëhiqen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Çështja e pronave parimisht është e rregulluar me aktet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Kosova iu përmbahet atyre akteve ndërkombëtare, që edhe janë rregulluar gjatë suksesionit që e kanë bërë republikat e ish-Jugosllavisë dhe Kosova është pajtuar se i pranon ato propozime edhe në bisedimet e Vjenës dhe në planin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit”, thotë Mustafa.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003. Deri më tani janë privatizuar mbi 2,000 asete. Këto pasuri shtetërore në 116 valë të privatizimit, janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.

Qeveria e Kosovës është duke planifikuar të mbyllë Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ndonëse ende nuk ka një plan të ri sesi do të vazhdojë privatizimin dhe çështjet të cilat dalin nga ky proces.


MË SHUME NGA Ekonomi